Lufta kundër pandemisë kërkon besimin e qytetarëve, dhe qeveritë duhet ta fitojnë atë

schedule12:03 - 26 Tetor, 2020

schedule 12:03 - 26 Tetor, 2020

Nga Thomas J. Bollyky, Sawyer Crosby & Samantha Kiernan, Foreign Affairs*

“Qeveria ekziston për të na mbrojtur nga njëri-tjetri”, tha dikur në një rast presidenti amerikan Ronald Regan, duke shtuar:”Por ajo shkon përtej kufijve të saj, në mënyrën se si duhet të na mbrojë nga vetja”.

Kur u aplikua për kërcënimet nga pandemitë, pikëpamja e Regan rezultoi të ishte e gabuar. Dhe të tilla janë pikëpamjet e shumë politikë-bërësve në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj, që e kanë aplikuar atë. Përballë një virus të ri, shumë ngjitës, për të cilin nuk ka ende një kurë efektive, dhe kundër të cilit njerëzit nuk kanë një imunitet para-ekzistues, e vetmja mënyrë që qeveria të mbrojë në mënyrë efektive qytetarët nga njëri-tjetri, është duke i bindur ata të marrin masat e nevojshme për të mbrojtur veten e tyre.

Sidomos në shoqëritë e lira, suksesi i kësaj përpjekje varet nga besimi që ekziston midis qeverisë dhe qytetarëve. Disa udhëheqës, kanë dështuar të vlerësojnë rëndësinë e të pasurit të një qeveri që qytetarët e besojnë dhe dëgjojnë.

Ky dështim, ka sjellë dallime të mëdha në mënyrën sesi vendet janë përballur me këtë pandemi, dhe kërcënon t’i bëjë të gjithë më pak të sigurt kur të shfaqet kërcënimi pandemik i radhës, që do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme.

Trajtimet efektive ndaj sëmundjet infektive, janë një zhvillim i fundit në historinë e njerëzimit. Disponueshmëria e gjerë e antibiotikëve, dhe zhvillimi i shumicës së vaksinave, ndodhi vetëm pas Luftës së Dytë Botërore.

Por taktikat e sotme në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusin e ri, janë çdo gjë tjetër veçse jo të reja:maska ​​mbrojtëse, karantinat, izolimi dhe distancimi social, janë shfaqur që gjatë pandemisë së tmerrshme të Vdekjes së Zezë në shekullin XIV.

Gjurmimi i kontakteve, nisi mbi 100 vjet më parë, si një mjet për të ndjekur përhapjen e sëmundjes së sifilizit, midis punonjëseve të seksit dhe klientëve të tyre. Historianë si Mark Herrison, kanë argumentuar se nevoja për të koordinuar dhe zbatuar masa të tilla si karantina, izolimi dhe distancimi social, krijuan kushtet nën të cilat u shfaq shteti modern dhe “makineria” e qeverisë.

Për këtë qëllim, qytet-shtetet italiane krijuan bordet e para të shëndetit, dhe hartuan protokolle të hollësishme të shëndetit publik. Një forcë e rregullt detare, garantonte zbatimin e karantinave për të gjitha anijet që hynin në një port. Qeveritë në të gjithë Evropën Veriperëndimore, imituan më vonë qasjen e Italisë.

Ndërkohë elitat qeverisëse, u detyruan të merrnin një përgjegjësi më të madhe për jetën e zgjedhësve të tyre dhe mirëqenien kolektive, në mënyrë që të mbronin veten dhe krahun e punës. Por e vërtetë ishte edhe e kundërta:lufta kundër sëmundjeve infektive i thelloi marrëdhëniet e qytetarëve me qeverinë e tyre.

Që të jenë efektive, masa të tilla si karantinat dhe distancimi social, duhet të vendosen shpejt dhe në mënyrë të vazhdueshme. Këtë mund ta bëjë vetëm qeveria, dhe vetëm nëse zgjedhësit i besojnë saj. Besimi hyn në zinxhirin e çdo hallkë.

Individët e sëmurë duhet t’i raportojnë simptomat e tyre tek punonjësit e kujdesit shëndetësor, dhe të identifikojnë ata me të cilët kanë qenë në kontakt, si dhe t’i nënshtrohen izolimit dhe trajtimit. Edhe kontaktet e tyre potencialisht të infektuar, duhet të respektojnë karantinën.

Por që ky proces të funksionojë, publiku duhet t’i besojë qeverisë, që nga ana saj duhet të shpërndajë informacione të besueshme në lidhje me epideminë.

Vetëm atëherë publiku do të pranojë këshillat dhe këshillat apo urdhrat e zyrtarëve qeveritarë, për masat që do të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Dhe nuk ka nevojë t’i kthehemi Mesjetës, për të gjetur shembuj ku humbja e besimit ndaj qeverisë, ka ndihmuar në përhapjen e infeksioneve.

Disa teori konspirative dhe pakënaqësia e madhe ndaj qeveritarëve, i penguan përpjekjet për të kontrolluar virusin e Ebolës në muajt e parë të epidemisë në Afrikën Perëndimore në vitin 2014. Banorët e komuniteteve më të prekura nga virusi, kundërshtuan mbylljen e shkollave dhe oraret e ndalimit të lëvizjes.

Ata kundërshtuan gjithashtu gjurmimin e kontakteve, urdhrat për të hequr dorë nga kontakti fizik, dhe këshillat për kujdes ndaj familjarëve të infektuar në shtëpi. Duke mos parë asnjë kurë në dispozicion, disa zgjodhën mjete shërimi të promovuara si “mrekulli” nga magjistarë dhe udhëheqës lokalë.

Mediat dhe analistët, kanë zbuluar disa karakteristikash të ndryshme qeveritare dhe shoqërore, për të shpjeguar pse disa vende kanë qenë shumë më të suksesshme se ta tjerat, në kontrollin e pandemisë COVID-19.

Gratë në udhëheqje, mungesa e populizmit, ekonomitë ku ka më shumë barazi, dhe një mbulimi universal shëndetësor, mund të jenë të dëshirueshme. Por s’ka ka asnjë provë empirike, se ndonjë prej këtyre faktorëve ka rritur shanset për ta frenuar këtë virus të ri vdekjeprurës.

9 nga 10 vendet me numrin më të lartë të rasteve të raportuara janë demokraci. Ndërsa autokracitë, si Irani, Rusia dhe Venezuela, kanë bërë pak më mirë në këtë krizë. Një studim i kohëve të fundit në 23 vende, zbuloi se në vendet ku qytetarët kanë besim më të lartë tek qeveria ishin dukshëm më të predispozuar të lajnë duart, të shmangin vendet e tejmbushura me njerëz, dhe të bëjnë sakrifica personale për të ndaluar përhapjen e virusit.

Fatmirësisht, besimi është diçka që qeveritë mund ta fitojnë edhe në mesin e një krize. Një publik që i beson qeverisë së tij, ka të ngjarë të pranojë që rreziqet që qeveria i identifikon si reale, dhe të ndjekë udhëzimet e saj. Qeveria e ndërton dhe ruan atë besim, duke lëshuar këshilla dhe vlerësuar rrezikun në një mënyrë që është në kohën e duhur, një informacion i ndershëm dhe i bazuar tek shkenca.

Studimet tregojnë se në një pandemi, qeveritë e ruajnë besimin e publikut kur sigurojnë informacion të plotë, edhe kur të dhënat janë të kufizuara, dhe duke mos e minimizuar kurrë rrezikun real, vetëm e vetëm për të zbehur frikën e publikut.

Në SHBA zyrtarët amerikanë – në veçanti presidenti Donald Trump – kanë ndjekur drejtimin e kundërt. Përkundër faktit se e kuptonte në fillim të shkurtit se koronavirusi ishte “një gjë vdekjeprurëse”, Trump i tha publikut amerikan se ai ishte i krahasueshëm me gripin, se situata ishte “nën kontroll”, dhe “se virusi do të zhdukej”.

Shtëpia e Bardhë, e pengoi Qendrën e Kontrollit të Sëmundjeve  Infektive (CDC) të informonte si duhet publikun, dhe shpërfilli rekomandimet e tij. Presidenti zgjodhi më shumë politikën, sesa promovimin e besimit tek masat e shëndetit publik në këtë krizë, duke arritur deri atje sa të shprehej në një rast në Twitter:“Të gjithë gënjejnë. CDC, media, demokratët, Mjekët tanë, jo të gjithë, por shumica e atyre që na thuhet t’u besojmë”. Mjerisht rezultatet –

8 milion amerikanë të infektuar, dhe 220.000 të vdekur – flasin vetë. /Përktheu Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!