Lufta kundër korrupsionit: Përkeqësohen treguesit e Shqipërisë

schedule09:23 - 23 Janar, 2020

schedule 09:23 - 23 Janar, 2020

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, i cili vlerëson se mbi dy të tretat e vendeve kanë shënuar hapa prapa në përpjekjet anti-korrupsion. Indeksi radhit 180 vende dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.

Shqipëria ka humbur 7 vende përsa i përket korrupsionit. Në vitin 2018 vendi vendi ynë renditej në vendin e 99, ndërsa sipas raportit të vitit 2019, Shqipëria renditet në vendin e 106.

Kosova, në indeksin e këtij viti, radhitet e 101-ta me 36 pikë. Ky rezultat do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmirësim të lehtë në luftën kundër korrupsionit ka shënuar vetëm Mali i Zi.

Në indeksin e sivjetëm të Transparency International, ky vend radhitet në pozitën numër 66, krahasuar me pozitën 67 që ka pasur një vit më parë. Bosnje dhe Hercegovina sivjet radhitet në të njëjtën pozitë si Kosova, 101, ndërsa vitin e kaluar ka qenë e 89-ta. Rënie ka shënuar Maqedonia e Veriut e Serbia.

Në rang global rezultatin më të mirë në luftën kundër korrupsionit sivjet e kanë treguar: Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda.

Ndërsa në fund të listës janë: Somalia, Sudani Jugor dhe Siria. /abcnews.al