Lufta kundër koronavirusit le mënjanë pacientë me sëmundje të tjera

schedule11:55 - 6 Prill, 2020

schedule 11:55 - 6 Prill, 2020

Një numër i konsiderueshëm njerëzish vuajnë nga probleme shëndetësore që kërkojnë mjekim të vazhdueshëm. Por me izolimin nga koronavirusi, kjo është bërë shumë e vështirë dhe pothuajse e pamundur, shkruan CNN.

Pas një diagnoze të kancerit të gjirit dhe tiroides pranverën e kaluar, LaDonna Lokey e dinte që kishte një vit të gjatë kimioterapie deri tek operacioni. Në fund të janarit, ajo kishte mbaruar kimiot dhe kishte nevojë për një operacion. Por më pas goditi pandemia e koronavirusit, duke mbyllur spitalin në Wisconsin dhe të tjerët në të gjithë SHBA-në.

Për shkak të situatës, punonjësit e kujdesit shëndetësor janë duke mbyllur zyrat jo urgjente me urdhër të zyrtarëve. Për disa, shërbimet në të cilat u mbështetën nuk janë më në dispozicion ose janë anuluar. Për të tjerët, shërbimet që u duhen janë ende të disponueshme, por ata janë shumë të frikësuar për të dalë jashtë.

Para operacionit të saj në nyjet limfatike, Lokey duhej të bënte ultratinguj në një spital të zonës Green Bay. Por ajo mori një telefonatë ku iu tha se data e operimit do të shtyhej për në prill. Edhe nëse do të mbaronte punë me ultratingujt, tashmë ajo druhet të operohet në kohë pandemie.

“Thjesht të shkuarit atje, më vë në rrezik… edhe nëse thonë:’ Po, do ta realizojmë’, a dua unë tani? Jam shumë e frikësuar. Nuk e di nëse do mundesha. Unë mund të pres.”- tha Lokey, për CNN.

Për momentin, Lokey mund të jetojë me nyjet limfatike përreth fytit, por është e sikletshme sipas saj.

Ashtu si pacientët e tjerë me kancer, i gjithë plani i trajtimit të Lokey është në pritje të pacaktuar, raporton abcnews.al

Anna Steegmann, një profesoreshë 65-vjeçare në New York City, nuk mendonte se një tingull i butë në veshët e saj do ta çonte në një diagnozë të kancerit. Por pas një serie analizash gjaku, katër ditë në dhomën e urgjencës dhe një biopsie të palcës së eshtrave, ajo u diagnostikua me një lloj të kancerit të gjakut.

Steegmann u diagnostikua në 13 Mars, kur New York tashmë kishte më shumë se 400 raste të koronavirusit. Pasi mori diagnozën, ajo arriti te Memorial Sloan Kettering, spitali më i mirë i kancerit në rajon. Ata thanë që nuk po merrnin asnjë pacient të ri.

Dr. Arthur Caplan, një analist mjekësor i CNN dhe drejtori i Divizionit të Etikës Mjekësore në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Nju Jorkut, tha që pandemia me siguri do të dëmtojë pacientët pa virus.

“Njerëzit do të rrezikohen dhe disa do të vdesin, sepse trajtimi normal, veçanërisht trajtimi i hershëm për kancerin nuk është i disponueshëm,” tha Caplan për CNN.

Komunikimi me anë të videove nuk është gjithmonë zgjidhje për sëmundje të tilla. Ndërkohë mjekët presin nga Shtëpia e Bardhë për ta zgjidhur këtë problem. Ata ankohen se nuk po marrin udhëzime të mjaftueshme për të menaxhuar pacientët me probleme të rënda shëndetësore, por jo të prekur nga koronavirusi./abcnews.al