Lufta kundër drogës, Duterte në “lupën” e drejtësisë

schedule20:35 - 8 Shkurt, 2018

schedule 20:35 - 8 Shkurt, 2018

Presidenti filipinas, Rodrigo Duterte, mund të përballet me drejtësinë ndërkombëtare për vrasjet e kryera në kuadër të luftës kundër drogës së propaganduar prej tij. Gjykata e Hagës ka nënvizuar se disa mijëra njerëz janë vrarë që prej vitit 2016, kur Duterte mori pushtetin.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të hapë një hetim paraprak për krime të kryera nga regjimi i presidentit filipinas, Rodrigo Duterte, në kuadër të asaj që ai e propagandoi si lufta kundër drogës. Lajmin e ka bërë të ditur kryeprokurorja, Fatou Bensouda, e cila ka deklaruar se do të merren në shqyrtim vrasjet e kryera në vendin aziatik. Presidenti Duterte dhe politika e tij për të lejuar vrasjet e shpërndarësve dhe përdoruesve të drogës shkaktoi reagime në shkallë ndërkombëtare.

Kryeprokurorja theksoi se e ka ndjekur me vëmendje situatën dhe në mënyrë të pavarur ka vendosur ekzaminimin e secilit rast. Ndonëse është diçka paraprake, përmes këtij procesi synohet të përcaktohet nëse ekzistojnë baza të arsyeshme për të hapur një hetim të mirëfilltë.
“Dyshohet se që prej Korrikut 2016 disa mijëra persona janë vrarë për motive që lidhen me përfshirjen e tyre në përdorimin ose trafikimin e drogës”, tha kryeprokurorja. Zonja Bensouda tha se një hetim paraprak do të hapet edhe për forcën e përdorur ndaj qytetarëve në Venezuelë. Qeveria e presidentit Nicolas Maduro është përballur me akuza për shkelje të të drejtave të njeriut, për shkak të dhunës në protestat e vitit të kaluar, ku mbetën të vrarë 120 persona./abcnews.al