Kryeministri Edi Rama falënderoi SHBA-në për dhurimin e 60 respiratorëve për të luftuar COVID-19 në Spitalin Infektiv, atë Shefqet Ndroqi dhe në spitalet e reja COVID 3 dhe 4. Rama tha se miku i mirë duket në ditë të vështirë, ndërsa paralajmëroi se bazuar te parashikimet e ekspertëve, dimri do të jetë i vështirë.
“Miqtë e mirë duken në ditë të vështira. Ne sot ndihemi jashtëzakonisht mirë, jo vetëm në aspektin ushtarak, por mbi të gjitha në aspektin human, jemi pjesë e këtij klubi fantastik vendesh që besojnë te vlerat e lirisë, parimet e demokracisë. Mirënjohje SHBA-së, që gjithnjë edhe në këtë rast, janë treguar të vëmendshme ndaj Shqipërisë.
Falenderoj në mungesë ambasadoren Kim, që më dha e para lajmin për këtë mbështetje kaq të çmuar dhe kaq të nevojshme në këtë fazë përballje me një armik kaq të pamëshirshëm. Mbase ky është momenti i duhur për të bërë edhe një retrospektivë të disa momenteve, kur kemi prekur nga afër mbështetjen e miqve tanë. Dimri do të jetë i vështirë sipas parashikimeve të ekspertëve të botës dhe Shqipërisë” tha ai./ db/Abcnews.al