Lufta Izrael-Hamas/Hapat e ardhshëm të operacionit tokësor

schedule10:18 - 29 Tetor, 2023

schedule 10:18 - 29 Tetor, 2023

Ushtarët izraelitë janë brenda Rripit të Gazës, me luftën që tani po hyn në një fazë të re, siç pretendoi kryeministri Benjamin Netanyahu në konferencën e tij të parë për shtyp që nga 7 tetori.

Operacioni i zgjeruar që filloi të premten mbrëma po përparon me kalimin e orëve, në një ofensivë tokësore në shkallë të gjerë,  të cilën izraelitët e kanë planifikuar prej tre javësh, me objektivin kryesor eliminimin e aftësive ushtarake të Hamasit dhe çlirimin e të paktën 229 pengjeve.

Megjithatë, të gjithë e dinë se operacioni “Shpata e Hekurt “do të jetë shumë ndryshe nga lufta e vitit 2014, pasi, për të arritur objektivat e tij, ushtria izraelite do të duhet të depërtojë thellë në Rripin e Gazës, me operacione paralele në terren dhe nën të.

Plani i ushtrisë izraelite

Objektivi i parë strategjik i ushtrisë izraelite, për të hapur rrugën drejt qytetit të Gazës, është marrja në kontroll e Beit Hanoun, e vendosur në skajin verilindor të Rripit dhe që shtrihet pothuajse deri në gardhin kufitar.

Kjo lagje mbetet fronti më i “nxehtë”, nga ku dëgjohen shpesh breshëri mitralozi dhe të shtëna me armë, shenjë se betejat e ashpra po zhvillohen mes forcave izraelite të sigurisë dhe brigadave të armatosura të Hamasit dhe Xhihadit Islamik.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se operacionet për kapjen e Beit Hanoun pritet të jenë intensive dhe të gjata, me ushtrinë izraelite që fiton disa metra territor. Sipas IDF-së, gjatë ditës së parë të operacioneve, vendet e armëve antitank, qendrat e komandës dhe kontrollit dhe zonat e grumbullimit të armëve u lokalizuan dhe u shkatërruan, ndërsa ndërtesat e bllokuara u goditën nga dronë dhe helikopterë, pas futjes së tankeve.

Informacionet, në fakt, thonë se njësitë e specializuara luftarake të izraelit kanë filluar tashmë pastrimin e tuneleve që ndodhen në sektorin verior të Rripit të Gazës.

Të shtunën mbrëma, ata goditën pozicionet disa qindra metra jashtë gardhit kufitar në anën izraelite, ku besohet se ndodhet një nga daljet e tunelit. Forcat izraelite janë dislokuar në të gjithë sektorin verior të Rripit të Gazës, duke arritur deri në al-Shiafa, me objektivin kryesor krijimin e korridoreve të reja për fazat e ardhshme të operacioneve.

Paralelisht me aksionet në Beit Hanoun, ushtria izraelite po vazhdon edhe me operacione të kombinuara. Forcat e dislokuara në Rripin e Gazës mbledhin informacione mbi pozicionet dhe pajisjet e Hamasit, të cilat avionët luftarakë mund t’i neutralizojnë.

Sipas asaj që njoftoi IDF, të shtunën, tanket vunë në dukje objektiva në periferi të Gazës, të cilat më pas u shkatërruan nga raketat nga helikopterët.

Në të njëjtën kohë, IDF po fokusohet në sulmet ajrore në Rripin e Gazës, duke synuar rrjetet nëntokësore të Brigadave Al Qassam dhe Al Quds, ndërsa marina izraelite ka vazhduar të bllokojë bregdetin e Gazës, duke goditur pozicionet e Hamasit dhe Xhihadit Islamik.

Sipas vlerësimeve, hapi tjetër i operacionit tokësor përfshin vendosjen e forcave në zonën ku ndodhet kampi al-Bureij, me qëllim që të shkëputet pjesa veriore e Gazës nga pjesa jugore e Rripit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!