Irani synon të shtrijë ndikimin e tij në Shqipëri tashmë jo më përmes sulmeve kibernetike, por përmes shpërndarjes së dezinformimit dhe luftës hibride, që synim kryesor ka përhapjen e trazirave dhe protestave.
Kjo ishte ajo çfarë deklaroi për “ABC News” Bohdan Nahaylo, kryeredaktori i Kyiv Post, i cili thotë se armiqtë kanë sofistikuar mënyrat e ndërhyrjes së huaj në rajone si Ballkani Perëndimor.
Sulmet hibride dhe nxitja e trazirave nga aktorët armiqësorë, siç janë Irani dhe Rusia, sipas Bohdan Nahaylo-s, vijnë përmes rekrutimit të faktorëve lokalë, qofshin këta politikanë, biznesmenë apo edhe qytetarë të thjeshtë.
Sulmet e Iranit apo aktorëve të tjerë armiqësorë me synim përhapjen e trazirave nuk po ndodhin vetëm në vendet e vogla. Kryeredaktori i Kyiv Post solli shembuj sesi lufta hibride e nisur nga Irani ka goditur edhe vende të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Britania apo edhe Gjermania.
Bohdan Nahaylo thotë se, kur bëhet fjalë për vende si Shqipëria apo edhe Ukraina, synimi i luftës hibride është një dhe i vetëm: moslejimi i këtyre shteteve që të integrohen në Bashkimin Europian.
/abcnews.al/



