Të paktën 1,300 civilë dhe ushtarë janë vrarë në Izrael pasi Hamasi filloi një sulm të befasishëm gjatë fundjavës, thanë të premten Forcat Mbrojtëse të Izraelit. Në një përditësim, zëdhënësi i IDF-së, nënkoloneli Jonathan Conricus shtoi se më shumë se 3,000 njerëz janë plagosur në sulmet terroriste.
Si kundërpërgjigje, Izraeli po godet Gazën me sulme ajrore, duke goditur qindra objektiva dhe duke i kthyer në rrënoja lagjet. Ndërkohë, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, numri i palestinezëve të vrarë është rritur në 1537. Midis të vdekurve janë 500 fëmijë dhe 276 gra.
Ushtria izraelite ka kërkuar evakuimin e banorëve të Gazës brenda 24 orëve për sigurinë e tyre. OKB thotë se kjo shifër arrin në 1.1 milion njerëz, rreth gjysma e popullsisë së të gjithë Rripit të Gazës, dhe do të ishte e vështirë që kjo të bëhet pa pasoja katastrofike humanitare./abcnews.al

