Lufta e Ukrainës, çfarë na mësoi këtë vit, dhe çfarë pritet të ndodhë në 2023-shin

schedule09:34 - 30 Dhjetor, 2022

schedule 09:34 - 30 Dhjetor, 2022

Nga Alexander J.Motyl “The Hill”

Përveç ri-mësimit të qartë të leksionit të gjithëkohshëm se lufta është një ferr i vërtetë, këtë vit ne kemi mësuar gjithashtu disa gjëra më pak se të dukshme për Rusinë, Ukrainën dhe Perëndimin.

  1. Rusia është një shtet revanshist, imperialist, gjenocidal dhe fashist, që ka një ngjashmëri të madhe me Gjermaninë naziste. Lufta Rusi-Ukrainë i ka zhdukur iluzionet tona rreth lëvizjes së Rusisë drejt një forme të normalitetit të brendshëm dhe ekuilibrit të jashtëm. Ronald Reagan e quajti dikur Bashkimin Sovjetik një “perandori të së keqes”.

Federata Ruse është një perandori e të keqes, dhe mund të jetë edhe më e keqe sesa kaq. Perandoritë e mundshme zgjerohen dhe fillojnë luftëra, ndërsa perandoritë e ngritura janë përgjithësisht të kënaqura me statuskuonë. Edhe pse Rusia nuk mund ta fitojë dot luftën e saj kundër Ukrainës, kjo luftë do të përfundojë vetëm nëse Rusia pushon së qeni revanshiste, imperialiste, gjenocidale dhe fashiste. Negociatat nuk do të arrijnë asgjë. Vetëm disfata e Moskës mund të sjellë një ndryshim të madh në Rusi, dhe në marrëdhëniet e saj me fqinjët e saj dhe botën.

  1. Presidenti rus, Vladimir Putin, është padyshim një lojtar i dorës së dytë në skakierën botërore, dhe jo mjeshtri i madh që ai pretendonte se ishte. Në mbi 20 vitet e tij në pushtet, ai ka arritur të ndërtojë një regjim të paqëndrueshëm, të brishtë; ta shpërbëjë ekonominë e tregut dhe shtresën e profesionistë; dhe ta transformojë Rusisë në një petro-shtet tejet të korruptuar dhe joefikas; të distancojë miqtë dhe aleatët e Rusisë; ta njollosë emrin e Rusisë duke e lidhur me krimet e luftës; dhe ta përfshijë atë në një luftë shkatërruese që do të konsiderohet si një nga gabimet më të mëdha strategjike të historisë.

Por gabimi më i madh i Putinit, mund të jetë shndërrimi i vetes në mishërimin dhe shtyllën kryesore të sistemit politik rus. Ndërsa ai po plaket, rusët do ta kenë të vështirë ta mendojnë atë si imazhin e kombit të tyre. Dhe kur të largohet nga detyra, gjë që një ditë do të ndodhë me siguri, sistemi do ta ketë i vështirë të mbijetojë pa të.

  1. Ushtria ruse, ashtu si shteti, shoqëria, ekonomia dhe kultura ruse, është në kaos. Paratë

që supozohej të shkonin për modernizimin e saj, janë vjedhur me sa duket nga miqtë e Putinit. Taktikat, strategjia dhe komanda dhe kontrolli i saj janë të vjetruara, dhe armatimet dhe pajisjet e rënda janë shumë më të këqija nga sa mund ta imagjinonte dikush.

Shoqëria ruse gjendet në një krizë të thellë, pasi miliona profesionistë të shtresës së mesme kanë ikur nga regjimi i Putinit për të kërkuar fatin e tyre jashtë vendit, ndërsa një ekonomi në rënie po i zbeh perspektivat për ata që nuk janë në gjendje ose që nuk dëshirojnë të largohen.

Kultura ruse ka dalë në pah si kolonialiste dhe supremaciste, dhe përfaqësuesit e saj e kanë kompromentuar veten duke dështuar të marrin një qëndrim etik kundër Putinit, regjimit të tij dhe luftës në Ukrainë.

Të gjitha këto kontradikta përbëjnë një problem të madh për Federatën Ruse si shtet. A janë të numëruara ditët e Federatës Ruse? Një numër analistësh rusë, ukrainas dhe perëndimorë besojnë se kjo mund të jetë kështu. Rënia dhe shpërbërja e Rusisë në një mori shtetesh më të vogla është bërë e mendueshme, dhe gjithnjë e më e mundur.

  1. Ukrainasit dhe presidenti i tyre, Volodymyr Zelensky, e kanë tronditur botën me qëndrueshmërinë, guximin dhe përkushtimin e tyre ndaj demokracisë dhe lirisë, si dhe me aftësinë e tyre për të përballuar dhe më pas për të zprapsur sulmin rus.

Një vend i korruptuar dhe tepër i fragmentuar siç mendohej Ukraina para luftës, nuk mund t’i mbijetonte pushtimit, gjenocidit dhe luftës së Putinit. Është e qartë se ukrainasit janë të përkushtuar ndaj vendit të tyre, pavarësisht se ku jetojnë apo cilën gjuhë flasin.

Si për ironi, shteti, ushtria, shoqëria, kultura dhe identiteti kombëtar ukrainas, do të shfaqen shumë më të fortë pas përfundimit të luftës. Edhe pse ekonomia e Ukrainës mund të kërkojë dekada për t’u rindërtuar, Ukraina ka të ngjarë të bëhet një lojtare kryesor në gjeopolitikën evropiane dhe ndoshta edhe euroaziatike.

  1. Putin e nisi luftën për shkak të fiksimit të tij me atë që ai pretendonte në mënyrë të pahijshme se ishte “një kërcënim ukrainas” për Rusinë. Pretendimi ishte absurd sepse Ukraina nuk ishte – dhe nuk është ende – në pozitën për të kërcënuar sigurinë apo ekzistencën e Rusisë.

E kundërta – që Rusia e kërcënon Ukrainën – është qartësisht e vërtetë. Perëndimi bëri disa gabime në lidhje me integrimin e Rusisë pas Luftës së Ftohtë dhe zgjerimin e NATO-s. Por tani është koha e duhur për të hedhur poshtë argumentin se zgjerimi i NATO-s dhe anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në aleancë, ishin ato që e shkaktuan luftën.

Suedia dhe Finlanda po i bashkohen NATO-s, pra po e zgjerojnë atë, dhe Rusia nuk ka bërë asnjë kundërshtim serioz. Të gjithë në Rusi, Ukrainë, Evropë dhe Amerikën e Veriut e dinin që në javët para luftës se Ukraina nuk kishte asnjë shans për t‘iu bashkuar me NATO-n për të paktën dy dekada. Putini dhe makina e tij propagandistike u mbështetën tek ideologjia perandorake ruse dhe sovjetike për të demonizuar ukrainasit, se gjoja nuk donin të ishin rusë dhe për t’i detyruar t’i nënshtroheshin tekave të Moskës.

  1. Politikë-bërësit dhe analistët perëndimorë e vlerësuan gabimisht Rusinë, Putinin, Ukrainën dhe Zelensky-n. Ndonëse ndihma ushtarake, financiare dhe humanitare perëndimore për Ukrainën u pa të ishte e domosdoshme për aftësinë e saj për t’i zmbrapsur rusët, në fillim të luftës Perëndimi besonte se Rusia ishte më e fortë, Putini më kompetent, Ukraina më e dobët dhe Zelensky i paaftë.

Prandaj, aftësia e Perëndimit për të nxitur një kolaps të mundshëm të Rusisë në këtë luftë, duhet të merret me shumë rezerva. Një pjesë e mirë e Euroazisë mund të përfshihet në gjakderdhje të vazhdueshme, siç ndodhi pas rënies së Rusisë Perandorake. Por po aq e mundshme është edhe shpërbërja paqësore e Federatës Ruse, përgjatë vijave të shpërbërjes së dikurshme të Bashkimit Sovjetik.

  1. Në çdo rast, disfata e Ukrainës në këtë luftë do të shënonte triumfin e revanshizmit, imperializmit, gjenocidit dhe luftës, ndaj do të ishte një katastrofë për stabilitetin, sigurinë, demokracinë dhe liberalizmin në përgjithësi dhe për Euroazinë në veçanti. Në të kundërt, një fitore e Ukrainës do t’i jepte një goditje të fortë gjithçkaje që përfaqësojnë Putini, miqtë dhe mbështetësit e tij.

Nëse viti 2022 duhet marrë si një udhëzues për atë që do të ndodhë në vitin 2023, atëherë ne duhet të presim vazhdimin e fitoreve të Ukrainës në fushën e betejës, dhe shtimin e vështirësive të brendshme dhe ndërkombëtare të Rusisë.

Meqë ukrainasit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të luftojnë për mbijetesën e kombit të tyre, ndërsa rusët jo, viti 2023 mund të bëhet lehtësisht një përsëritje e vitit 1917, kur një luftë e dështuar, një ekonomi në kolaps, një pakënaqësi popullore, paaftësia e sundimtarit dhe paligjshmëria e elitës sollën fundin e Rusisë carist. A do ta shohë edhe Putini rrëzimin e gjithë sistemit që ka ndërtuar në këto 22 vite?

Shënim:Alexander J. Motyl, është profesor i shkencave politike në Universitetin Rutgers-Newark.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!