Lufta e Putinit në shtëpi, censurë dhe dezinformim

schedule10:44 - 13 Qershor, 2022

schedule 10:44 - 13 Qershor, 2022

Europian Council on Foreign Relations

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Gjatë kohës në pushtet si president, Vladimir Putin ka shfaqur prej kohësh një fushatë të qetë dezinformimi dhe censurimi në vend. Megjithatë, vetëm kur Rusia filloi luftën e saj gjithëpërfshirëse kundër Ukrainës, bota është zgjuar me të vërtetë.

Gjatë muajve të fundit, autoritetet ruse kanë mbyllur mediat e pavarura të vendit, kanë ndaluar platformat si Facebook dhe Twitter dhe kanë miratuar ligje që e bëjnë fjalën e lirë – në formën e deklaratave kundër luftës, të dënohet me deri në 15 vite burg.

Deri më tani janë arrestuar më shumë se 15,000 njerëz për demonstrimin kundër luftës, e cila po vepron si një pengesë e fuqishme. Për ata që janë të gatshëm të rrezikojnë arrestimin, censura e bën të vështirë të kuptojmë se sa të tjerë kundërshtojnë luftën dhe sa diçka e tillë pengon organizimin e protestave.

Së bashku me këto, Kremlini ka manipuluar ekosistemin e informacionit tashmë të shtrembëruar të Rusisë për të promovuar versionin e tij të ngjarjeve në Ukrainë. Kjo shkon përtej gënjeshtrave të përditshme të medias shtetërore për humbjet, viktimat dhe objektivat, raporton abcnews.al.

Autoritetet ruse gjithashtu kanë bërë përpjekje të mëdha për të prodhuar foto dhe video, duke përfshirë falsifikime të thella (megjithëse ato me cilësi të dyshimtë). Për shembull, Kremlini publikoi foto dhe video që pretendonin të tregonin se anija kryesore e Flotës ruse të Detit të Zi, Moskva u mbyt pasi mori flake nga një stuhi kur të gjitha provat duket se tregojnë se ishte goditur nga raketat ukrainase.

Për më tepër, rusët në shkolla tani po shohin dhe besojnë videot e detyrueshme të Ministrisë së Arsimit që shpjegojnë luftën.

Kjo marrëdhënie toksike e censurës dhe dezinformimit dëmton perspektivat për paqen në Ukrainë.

Është e vështirë të kuptosh pse një shumicë e rusëve do t’i bënte presion Presidentit Vladimir Putin për t’i dhënë fund obsesionit të tij brutal me Ukrainën, kur ata detyrohen të besojnë se lufta është një “operacion special” i kufizuar, i ekzagjeruar nga një Perëndim që urren Rusinë dhe një përpjekje heroike për të çliruar ukrainasit e denjë nga qeveria e tyre “neo-naziste”.

Por të kuptuarit se si dhe pse këto besime përshkojnë shoqërinë ruse do të jetë thelbësore.

Këtu, psikologjia mund t’i ndihmojë politikëbërësit të kuptojnë, parashikojnë dhe modifikojnë sjelljen e censuruar dhe të keqinformuar.

Identiteti social është veçanërisht vendimtar në represionin rus. Kremlini ka shfrytëzuar me mjeshtëri nevojën e njerëzve për të qënë pjesë e një grupi të brendshëm, prirjen dhe dëshirën për një identitet prestigjioz.

Gjatë gjithë sundimit të tij, Putini i është referuar vazhdimisht një komuniteti të përbashkët vlerash iskonnye rossiiskie (ruse primare) – në të njëjtat linja si paraardhësit e tij perandorak dhe sovjetikë  për të krijuar një grup nacionalist, ndërkohë që rriti në mënyrë dramatike armiqësinë ndaj Perëndimit, raporton abcnews.al.

Për shembull, në fjalimin e tij të fundit të Ditës së Fitores, ai e portretizoi veten si një katekon – një forcë që pengon ardhjen e Antikrishtit  për të kristalizuar ndjenjën e identitetit të rusëve.

Kjo marrëdhënie toksike e censurës dhe dezinformimit dëmton perspektivat për paqen në Ukrainë

Paragjykimet tashmë të njohura mund të ndihmojnë në lehtësimin e luftës së informacionit. Në mënyrë të ngjashme, tendenca për të besuar informacionin që konfirmon besimet para-ekzistuese, ndihmon në shpjegimin pse një sondazh i fundit i opinionit publik zbuloi se 89 për qind e rusëve besonin se qëllimi i operacionit aktual ushtarak ishte mbrojtja e civilëve në Ukrainë, parandalimi i një sulmi ndaj Rusisë, ose luftimi i nacionalistëve ukrainas dhe “denazifikimi” i Ukrainës.

Këto përgjigje – të cilat për Perëndimin mund të jenë dezinformim flagrant  pasqyrojnë atë që shumica e rusëve e shohin si një të vërtetë heroike, pasi konfirmon identitetin e grupit që ata janë ushqyer nga Kremlini.

Kundër-narrativat, të cilat janë mbrojtja aktuale e zgjedhur për mediat kryesore dhe iniciativat e BE-së si Task Forca Lindore StratCom , nuk do të mjaftojnë për ta kapërcyer këtë vetë. Natyrisht, ukrainasit dhe qytetarët e BE-së janë gjithashtu subjekt i paragjykimeve njohëse dhe dinamikës së identitetit social.

Për shembull, Ukraina ka përdorur ndonjëherë edhe psikologjinë e grupit për të krijuar heronj imagjinarë të tillë si një pilot luftarak në qiellin e Kievit , duke synuar të rrisë moralin dhe të diskreditojë Rusinë.

Ndërkohë, titujt sensacionalistë që e etiketojnë Rusinë një ” shtet terrorist ” tërheqin një audiencë të madhe jo vetëm sepse ka disa të vërteta në to, por edhe sepse kënaqin dëshirën e lexuesve për të konfirmuar besimet e tyre.

Nuk është për t’u habitur që teknika të tilla kanë patur sukses në zonat e konfliktit dhe në një Rusi represive në një kohë kur teoritë e konspiracionit janë përhapur edhe në disa nga mjediset më të lira mediatike në botë, duke e bërë më të vështirë për qeveritë që të kontrollojnë një pandemi vdekjeprurëse dhe duke bërë që miliona të refuzojnë legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA të vitit 2020.

Siç argumentoi ekspertja e teknologjisë dhe ish-deputetja Marietje Schaake në një diskutim të fundit mbi politikat e ECFR : “dezinformimi dhe propaganda shtetërore nuk fillojnë vetëm kur një vendoset një tank në kufi”.

Megjithatë, ka edhe arsye për shpresë. Pavarësisht propagandës së Kremlinit, demonstratat u zhvilluan së fundmi në më shumë se 60 qytete ruse. Kjo është e jashtëzakonshme jo vetëm për guximin e organizatorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë, por edhe për ndikimin e tyre të mundshëm: protestat në kontekste shumë represive priren të jenë më të suksesshme se ato në ato më pak repressive.

Dhe shumë rusë janë në kërkim të së vërtetës.

Shkarkimi i rrjeteve private sociale që lejojnë një farë lirie të shprehjes  u rritën me 2,692 për qind midis 24 shkurtit dhe 31 marsit. Ndërkohë, veprat e George Orëell mbi represionin janë të njohura në Rusi,  ndoshta duke nxitur ringjalljen e fundit nga Ministria e Jashtme ruse të pretendimit sovjetik se viti 1984 ka të bëjë me “fundin e liberalizmit perëndimor” dhe jo me totalitarizmin.

Në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, në të cilën perceptimet publike janë të lidhura me perspektivat për paqe, shtetet europiane duhet t’i përshtatin fushatat e tyre informative me realitetet e luftës së informacionit.

Deri më tani, përpjekjet e tyre për të luftuar taktikat e Kremlinit kanë ardhur nga shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës, verifikimi i fakteve dhe mesazhet. Por dezinformimi dhe censura nuk mund të kundërshtohen thjesht përmes përpjekjeve për të promovuar informacionin e saktë.

Nëse shtetet europiane duan të kenë sukses në këtë detyrë, politikat e tyre do të duhet të kenë parasysh psikologjinë individuale dhe grupore që formëson peizazhin e informacionit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!