Lufta e Putinit dhe rreziqet e shpërbërjes së Rusisë

schedule10:45 - 10 Dhjetor, 2022

schedule 10:45 - 10 Dhjetor, 2022

Nga Marlene Laruelle, Foreign Affairs

Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka rritur përshkallëzimet në luftën e tij kundër Ukrainë, stabiliteti i regjimit të tij është në pikëpyetje. Disa vëzhgues kanë parashikuar se presidenti rus mund të rrëzohet; të tjerë madje shpresojnë për një shpërbërje të vendit.

Po lind pyetja: A do të shpërbëhet Rusia?

Rusia është kombi më i madh në botë për nga gjeografia. Njëzet për qind e popullsisë së saj nuk është etnikisht ruse. Ndërsa Moska u emërua qyteti i tretë më i begatë në botë nga Indeksi i Prosperitetit të Qytetit të UN-Habitat disa javë përpara fillimit të luftës në shkurt, një pjesë e madhe e nënkontinentit siberian është e varfër dhe pak e populluar.

Në veriun e largët, mbizotërojnë qytetet industriale. Në Lindjen e Largët, banorët janë më të lidhur ekonomikisht me Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut sesa me Moskën dhe Shën Petersburgun.

Disa vëzhgues perëndimorë jo vetëm që kanë spekuluar për rënien e Rusisë, por edhe besojnë se do të ndodhë një gjë e tillë. Çdo e ardhme pozitive për Rusinë dhe fqinjët e saj si Ukraina, si dhe për pjesën tjetër të botës, do të kërkojë që vendi të rikthejë federalizmin, raporton abcnews.al.

Rusia ka një histori të gjatë liderësh që përpiqen me çdo kusht të mbajnë të bashkuara rajonet e largëta të vendit. Carët u dhanë autonomi kulturore disa kombeve të pushtuara, ndërsa të tjerëve u asimiluan me dhunë. Regjimi sovjetik ndoqi të njejtën qasje, herë duke festuar identitetet kombëtare, herë duke dëbuar dhe ndëshkuar popujt që konsideroheshin jobesnikë ndaj projektit sovjetik.

Në shekullin e 20-të, vendi përjetoi vetëm dy periudha decentralizimi relativ: nën udhëheqjen e kryeministrit sovjetik Nikita Hrushov, midis 1953 dhe 1964, dhe gjatë presidencës së Boris Jelcinit, nga 1985 deri në 1999.

Pasi Putini mori pushtetin në vitin 2000, ai gradualisht rivendosi kontrollin e Moskës mbi rajonet dhe republikat ruse. Që atëherë, pabarazitë në rritje socio-ekonomike midis banorëve në qendrat e pasura metropolitane dhe rajonet provinciale kanë krijuar tensione.

Moska ka fituar më shumë pushtet dhe rajonet e largëta kanë humbur autonominë e tyre burokratike dhe financiare, e cila nga ana e saj ka dështuar në zhvillimin rajonal.

Edhe në Krasnodar Krai, në jug të Rusisë – një zonë shumë besnike ndaj Putinit, udhëheqësit vendas kritikojnë burokratët me bazë në Moskë për imponimin e politikave jo të përshtatshme.

21 republikat etnike autonome të vendit nuk përbëjnë një tërësi të unifikuar. Në disa rajone, rusët etnikë dominojnë (nganjëherë në shumicë; për shembull, ata përbëjnë dy të tretat e popullsisë në republikën siberiane të Buryatia në liqenin Baikal) ndërsa në të tjera ata janë të paktë (rreth tre përqind në Dagestan, në jug të Rusisë).

Por me pak përjashtime – si në Tatarstanin e industrializuar, të gjithë ata jo vetëm që përballen me sfidat ekonomike që dëmtojnë provincat e largëta të Rusisë, por gjithashtu nga problemet kulturore, raporton abcnews.al.

Aktivistët vendas kanë bërë thirrje që në tekstet e historisë të mos përmendet integrimi i supozuar paqësor i kombeve në Perandorinë Ruse. Lufta në Ukrainë mund të nxisë thirrjet për autonomi më të madhe nga Moska. Mobilizimi ushtarak në shtator ka gjeneruar një reagim të ashpër në zonat me popullsi të madhe të pakicave etnike.

Edhe kreu i Republikës çeçene, Ramzan Kadyrov, i cili e ka cilësuar veten si njeri më besnik i Putinit, e ndaloi mobilizimin në Çeçeni më herët se liderët në rajone të tjera, duke njoftuar se republika e tij kishte përmbushur tashmë kuotën e saj.

Në shtator, gruaja e kryemyftiut të Dagestanit bëri një deklaratë të ngjashme. Ndryshimet më të thella demografike mund të rrisin gjithashtu thirrjet për decentralizim.

Nga 20 rajonet ruse me rritje pozitive të popullsisë, 19 kanë përqindje relativisht të larta të rusëve joetnikë. Bëhet fjalë për Dagestanin dhe Çeçeninë në Kaukazin e Veriut dhe Tuva në Siberi. Në Sakha, republika më veriore e Rusisë, në kryeqytetin rajonal Yakutsk popullsia është dyfishuar gjatë 30 viteve, falë eksodit të të rinjve Yakuts nga zonat rurale në qytet.

Pavarësisht ankesave dhe problematikave të tyre, pakicat etnike të Rusisë nuk po kërkojnë të shkëputen. Mund të themi se këto popullsi do të luftonin për pavarësi nëse do të ishte e nevojshme.

Por ka më shumë gjasa që një shumicë ta vazhdojë ta cilësojë Rusinë si atdheun e tyre, duke iu dhënë më shumë autonomi kulturore dhe politike. Por politikëbërësit perëndimorë nuk duhet të bien në grackën e deklaratave radikale të emigrantëve  politikë me pikëpamjet e qytetarëve rusë.

Do të ishte gjithashtu e gabuar të supozohej se pakicat e fuqizuara do të ndihmonin automatikisht në krijimin e një Rusie më të sinkronizuar me normat perëndimore.

Pakicat etnike nuk janë më të prirura drejt demokracisë, të drejtave të njeriut, qeverisjes së mirë dhe liberalizmit properëndimor sesa shumica etnike ruse.

Ndarja kulturore e Rusisë nuk është midis rusëve etnikë dhe pakicave, por midis zonave të mëdha urbane dhe pjesës tjetër të vendit: rajone industriale,, provincave rurale dhe republikave etnike.

Qytetet e mëdha të Rusisë kanë treguar shenja në rritje të angazhimit të shoqërisë civile dhe pluralizmit bazë gjatë dekadës së fundit edhe nëse kjo prirje është shtypur, veçanërisht që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, raporton abcnews.al.

Banorët në zonat ruralë dhe minoritetet, në të kundërt, priren të jenë më konservatorë në aspektin e zakoneve kulturore dhe më mbështetës të një regjimi autoritar dhe paternalist.

Pakicat muslimane kanë më shumë gjasa të kundërshtojnë të drejtat e abortit,  barazinë në vendin e punës dhe të drejtat LGBTQ. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të dënojnë NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara për politikat e tyre në Lindjen e Mesme.

Mbështetja për kolapsin e Rusisë është një strategji e gabuar, e bazuar në mungesën e njohurive se çfarë e lidh shoqërinë ruse në të gjithë diversitetin e saj. Më e rëndësishmja, një strategji e tillë gjithashtu nuk merr parasysh se një shpërbërje e Rusisë do të ishte katastrofike për sigurinë ndërkombëtare.

Një kolaps do të gjeneronte disa luftëra civile. Shtetet e reja do të luftonin me njëri-tjetrin për kufijtë dhe asetet ekonomike. Shërbimet e sigurisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit do të shtypnin çdo përpjekje për demokraci, raporton abcnews.al.

Për të qenë të sigurt, shpërbërja e Rusisë nuk ka gjasa të ndodhë. Megjithatë, si pasojë e luftës katastrofike të Putinit, regjimi megjithatë do të përballet me presione në rritje.

Rezultati më i mirë do të ishte që vetëqeverisja lokale – e regjistruar në kushtetutën ruse, por që nuk përdorej nga Putini të bëhej realitet. Si në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë, një transformim shoqëror do të kërkojë dekada.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!