Zv/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka deklaruar se kryeministri Rama duhet të mbajë përgjegjësi për situatën aktuale ku është vendi. Ai theksoi nga studioja e emisionit “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori se opozita nuk e sheh si partner qeverinë për zgjidhjen e situatës.
Por gjithashtu, ish-deputeti nënvizoi se LSI nuk mund të përcaktojë kryetarin e PS-së dhe për këtë nëse ai synon garantimin e votës së lirë, ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë.
“Edi Rama është kryetar i PS për ne, dhe kjo është në të drejtën e PS-së ta mbajë ose jo dhe si përfaqësues i PS, ai dhe cilido që vjen në këtë konstante qëndrimi që nuk synon ndryshim kryeministrash, që nuk synon ndryshim qeverish, por synojmë garantimin e votës së lirë dhe kjo votë le të legjitimojë, le t’i japë besim kujtdo, edhe nëse pas kësaj vote, pas këtyre zgjedhjeve del Edi Rama për të bërë qeverinë, ne do t’i japim dorën, do ta mbështesim do t’i themi punë të mbarë, por me zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Edi Rama është kryetar i PS dhe nuk mund ta përcaktojmë ne kush është kryetar i partisë tjetër. Edi Rama duhet të marrë përgjegjësitë e veta sepse është shkaktar i kësaj situate. Synojmë që kjo qeveri që është produkt i votave të blera nga grupet kriminale dhe këtë të mos e harrojmë se këtu fillon e keqja nuk ka legjitimitet. Dhe për sa kohë nuk ka legjitimitet, kjo mazhorancë e këtij parlamenti dhe kjo qeveri që ka dalë si partnere ne nuk mund ta shohim si partnere për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pasi të zgjidhet kjo, të ulemi dhe të vlerësoj se çfarë duhet bërë në interes të vendit”, tha Rama.
Për sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve lokale më 30 Qershor, Luan Rama tha se kauza e opozitës janë zgjedhjet e lira dhe ky nuk është një veprim taktik. Sipas tij duhet të bëhet një marrëveshje politike që të garantojë respekt, integritet dhe legjitimitet në çdo institucion që pikë së pari t’i sigurojë Shqipërisë çeljen e negociatave me BE-në.
“Në vlerësimit tim lufta e opozitës nuk është e fokusuar tek një veprim taktik, kauza e opozitës dhe shoqërisë sot janë zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta. Nëse nuk bëhet kjo gjë asnjë qytetar i këtij vendi nuk do marrë pjesë në zgjedhje të trukuara që nuk garantojnë lirinë e votës.
Nuk do bllokojmë qytetarët, por ne jemi bashkë me qytetarët që të mos ketë më zgjedhje fasadë dhe të blera në këtë vend. Për sa kohë nuk dënohen ata që e kanë prodhuar këto lloj zgjedhjesh nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në këtë vend. Nuk është çështje bashkish. Është çështje standardesh në zgjedhje.
Pa u garantuar ligjërisht kjo gjë, me sikur nuk hyhet në zgjedhje. Kjo është çështje korrektese, transparence dhe sinqeriteti që duhet të normohet me një marrëveshje jo marrëveshje kulte, nate, pa tekst, por me një marrëveshje politike që të garantojë për një periudhë 10-15-vjeçare respektin, integritetin dhe legjitimitetin çdo institucioni që Shqipëria të sigurojë kushtet për çeljen e negociatave me BE-në”, tha zv/kryetari i LSI-së./abcnews.al