Luan Rama: Armiqësi e dukshme mes Presidentit dhe Kryeministrit

schedule21:15 - 5 Korrik, 2019

schedule 21:15 - 5 Korrik, 2019

Luan Rama i ftuar në “Provokacija” ka komentuar përplasjen e ndodhur ditët e fundit mes Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama. Ai është shprehur se në asnjë vend të Evropës apo botës nuk i rezulton “të ketë pasur një armiqësi kaq të dukshme dhe kaq të shpalosur midis dy funksionarëve më të lartë të shtetit”.

“Thelbi i gjithë krizës së madhe në të cilën është përfshirë fatalisht Shqipëria është se shqiptarë nuk kanë besim tek politika. Bazamentin e vet e ka tek kriza e besimit. Ne duhet të jemi më të ndershëm me qytetarët dhe më të ndershëm me veten. Qytetarët shqiptarë nuk kanë besim tek politika sepse vetë politika e ka vrarë këtë besim me qytetarët. Shikoni çfarë ndodh…nuk dua të merrem me emra, por nuk i shmangemi dot emrave. Jam përpjekur të gjej këto ditë një rast tjetër kaq alarmant sa në Shqipëri të raporteve midis qeverisë dhe Presidentit, midis Kryeministrit dhe Presidentit. Nuk ka rëndësi si i kanë emrat, por po flasim për shtetin. Dhe nuk më rezulton dhe nuk po gjej në asnjë manual në asnjë histori politike të shteteve që të ketë pasur një armiqësi kaq të dukshme dhe kaq të shpalosur midis dy funksionarëve më të lartë të shtetit, në një shtet demokratik po flasim siç ndodh në Shqipëri. Është unikale! Ka shenja të të njëjtës mënyrë sjelljeje po të shikojmë edhe zhvillimet e fundit në Kosovë, por prapë tek shqiptarët na shkon kjo lloj kundërvënie. Nuk gjej në asnjë histori të Evropës moderne apo të botës moderne, një ministër, një anëtar qeverie , një Kryeministër që të anatemojë me fjalor rruge Presidentin e Republikës. Del Kryeministri dhe e gjithë fushat e ashtuquajtur zgjedhore e tij ishte e përfshirë në 4-5 fjalë kyçe. Merr si referencë Haxhi Qamilin dhe na çon tek periudha e mbrapshtë e një histori tragjike për Shqipërinë dhe stigmatizon kryetarin e shteti duke e cilësuar si Xhike Qamili e ku di unë. Merret me Monika Kryemadhin si bashkëshorte e tij, merret me filxhanin, pra nuk janë dinjitoze, nuk janë të moralshme, merru me idetë politike të Presidentit të Republikës. Merru me sjelljen politike të Monika Kryemadhit sepse ajo është një kryetare partie dhe e ka marrë përsipër këtë risk”, tha Luan Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!