“Luan ndaj vendit të lindjes”, në Angli “qajnë” largimin e Brojës te Shqipëria

schedule11:20 - 27 Mars, 2021

schedule 11:20 - 27 Mars, 2021

Nesër në “Air Albania” Shqipëria luan ndaj Anglisë për eliminatoret e Katar 2022 dhe para kësaj sfide mediet angleze janë përqendruar te Armando Broja, talenti i lindur në Slough, një qytezë në periferi të Londrës. Para kësaj sfide Goal.com “qan” ikjen e Brojës nga Anglia dhe ardhjen te Shqipëria.

“Sulmuesi i huazuar i Vitesse do të dalë kundër tokës së tij të lindjes të dielën kur “Tre Luanët” takohen me Shqipërinë në kualifikueset e Kupës së Botës”, shkruan media e njohur angleze, që më pas kujton fjalët e Brojës dhe arsyet pse ai zgjodhi vendin ku kanë lindur prindërit e tij.

“Është një vendim i rëndësishëm kur zgjedh kombëtaren për të cilën do luash. Shkova te Shqipëria sepse kam gjak shqiptari brenda meje, jam shqiptar, prindërit e mi janë shqiptarë, kështu që ishte vendim i lehtë. Më pëlqen më shumë t’i bëj njerëzit atje (shqiptarët) dhe prindërit e mi krenarë. Do doja që me Shqipërinë të shkojmë në një Botëror ose Europian.

Kjo është arritja më e madhe për ta. Nëse shkojmë në Kupën e Botës është çmenduri dhe do bënim historinë e futbollit shqiptar. Nuk e kemi arritur kurrë më parë këtë dhe është diçka e çmendur për një vend të tillë. Kam një pjesë të madhe të familjes në Shqipëri.

 

I vizitoj ata çdo vit, kështu që është një pjesë e madhe e jetës sime atje. Në vitin e parë te U18 isha 17 vjeç dhe nuk po bëja sezonin më të mirë. Shënova vetëm dy gola atë sezon dhe isha me të vërtetë dobët. Pastaj babi dhe mami më nxitën të shkoj të luaj me Shqipërinë.

Shkova të fitoj besimin në vetë dhe të harroj sezonin e vështirë. Luajta 4 ndeshje dhe shënova 6 gola, kështu që u ndjeva shumë mirë. Unë jam 19 vjeç dhe të jem pjesë e ekipit të parë është diçka që e kanë bërë disa lojtarë, por edhe shumë të tjerë nuk e kanë arritur. Jam lojtar i Chelseas dhe si i tillë në Shqipëri presin shumë nga unë”, tregon Broja, pjesë e Vitesse në huazim nga Chelsea. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!