Historia, tradita dhe emri mund të vlejnë po aq sa trofetë. I tillë rasti i Anglisë, kundërshtarit të Shqipërisë këtë të premte në “Uembli”, e cila është as më shumë e as më pak, por shpikësja e futbollit.
Po flasim për vendin ku u krijua sporti modern, përfshi edhe topin e këmbës, ku u krijua klubi I parë I futbollit në 1856, ku u luajt ndeshja e parë ndërkombëtare, Angli-Skoci në 1872, dhe ku u mbajt kampionati I parë, në sezonin 1888-1889.
Edhe pse nuk ka shumë tituj si Brazili, Gjermania, Italia, Argjentina apo edhe Franca, Spanja e Uruguaj, sërish Anglia mbetet Angli.
Superfuqi të tilla si Gjermania apo Italia u desh të prisnin gjatë, deri në 1968 e 1973 për të arritur fitoret e para.
Gjithsesi, kur vjen pun ate triumfet, “tre luanët” mbajnë mend vetëm një, fitoren e Kupës së Botës në 1966, edhe atë pas një finaleje tepër të diskutueshme ndaj Gjermanisë në “Uembli” të Londrës, vendosur me atë që u quajt “goli fantazmë”.
Më pas ka më shumë disfata, dhe ndonjë lavdi e ndërprerë, si gjysmëfinalet e humbura me penallti ndaj Gjermanisë në Kupën e Botës 1990 apo Europianin 1996.
Sidoqoftë, vitet e fundit ka disa shenja mjaft inkurajuese.
Anglia, e drejtuar nga trajneri tashmë I larguar Garet Sauthgejt, arriti finalen e Kampionatit Europian në 2021, të humbur në “Uembli” ndaj Italisë sërish pas penalltive, ndërsa kishte mbërritur gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2018.
Aktualisht, “tre luanët” janë nënkampionë të kontinentit në fuqi, pasi shkuan sërish deri në finalen e Europianit 2024 në Gjermani, duke u mundur në fund nga Spanja.