LSI voton online strukturat e reja, Erisa Xhixho në ABC: Mobilizim që i paraprin fitores në 25 prill

schedule12:46 - 19 Nëntor, 2020

schedule 12:46 - 19 Nëntor, 2020

Këtë vit, për të zgjedhur delegatët, kryetarin dhe strukturat e reja, Lëvizja Socialiste për Integrim do të votojë online. Nënkryetarja e kësaj partie Erisa Xhixho, gjatë një bisede me gazetaren Juli Xhokaxhi në ABC është shprehur se procesi i votimit do të bëhet me anë të aplikacionit “Join LSI”.

Votimi pritet të bëhet më 21 nëntor dhe 5 dhjetor.

Po ashtu, Xhixho tregoi se për ata që duan të votojnë fizikisht, duke respektuar masat anti-Covid, do të ketë edhe qendra votimi. E pyetur se çfarë pret LSI nga këto zgjedhje, nënkryetarja tha se “gjithë ky mobilizim i paraprin një fitoreje më 25 prill.”

“Votimi online është një avantgarde për politikën shqiptare, dhe pse mos të përdoret edhe për zgjedhjet në vend. Ne kemi prurje edhe nga socialistë të zhgënjyer…Rinia mbetet boshti themelor i LSI.”

Ndërsa sa i përket Konventës së 5 Dhjetorit, Erisa Xhixho tha se eventi do të mbahet online, por shtoi ajo, është shumë i rëndësishëm mesazhi që do të jepet, programi dhe pikat kryesore.

“Nuk janë thjesht zgjedhjet e radhës, por janë zgjedhjet për një ndryshim rrënjësor. Duhen zgjedhje dinjitoze.”

Ndërsa, sa i përket faktit që kryetarja e LSI, nuk mban maskë në takimet me qytetarë, Xhixho tha se Kryemadhi është kimiste dhe i njeh shumë mirë pasojat e Covid-19.

“Takimet e LSI janë derë më derë, takime të vogla, të qeta. I rëndësishëm është kontakti me qytetarët…Kryetarja është kimiste, i njeh shumë mirë pasojat e Covid-it, nuk besoj se ka rrezikuar njeri…Ajo beson që nuk është e nevojshme. Takimet janë bërë në ambiente të hapura, është respektuar distanca.” s.b/abcnews.al/