Nënkryetari i LSI Luan Rama i ka quajtur përçatje dhe ëndrra deklaratat e Edi Ramës se bashkë me Bashën kishin bërë pakt ta çonin LSI-në për skrap.
Në studion e ABC përballë gazetares Juli Xhokaxhi, Luan Rama u shpreh se LSI është një forcë politike e realitetit politik shqiptar që ka qenë përcaktuese në maxhorancat qeverisëse.
“LSI është një forcë politike e realitetit politik shqiptar dhe falë faktorizimit që ajo ka prej mbështetjes së shqiptarëve është përcaktues në maxhorancat qeverisëse.
Faktorizimin politik e përcaktojnë qytetarët. Kjo që dëgjuam është një përçatje. Rama do bënte pakt edhe djallin për të shpërbërë LSI. Nuk më intereson se çfarë pakti ka bërë Basha me Ramën por referendumi që do të vijë më 25 Prill. LSI është me anëtarët dhe simpatizantët e saj”, u shpreh ai.
Ai e përjashtoi mundësinë e ndonjë pakti të mundshëm të krerëve të dy partive, pasi tha se edhe në rast se LSI po shpërbëhet sikurse Rama thotë, atëherë pse ai nuk e lë të qetë.
“Janë ëndrrat e Edi Ramës për ta shndërruar LSI në skrap. E përjashtoj mundësinë për një pakt se jam i bindur dhe e njoh nga afër. Jam pjesë e një aksioni opozitar të shpëtojë Shqipërinë. Nëse është si thotë ai dhe si thonë këta eunukët që LSI po shpërbëhet, pse merret Edi Rama me LSI. Por ai e di shumë mirë që nuk është kështu”, tha Rama./mv.abcnews.al