Lorenc Vangjeli shpërthen në studion e ABC me gazetaren Sibora Bitri.
“Në Shqipëri të gjithë i kemi sytë nga Perëndimi, por jemi marrëzisht Lindorë. Me reformën në drejtësi është ndërtuar “një godinë” moderne për sistemin, por ajo është ende nën pushtetin e mendësisë sovjetike. Kërkojmë Evropën, por kokën, trupin, shpirtin dhe mënyrën e sjelljes e kemi totalisht në Azi.
Edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, mentaliteti sovjetik i sjelljes së shoqërisë është ulëritës. Sillemi si sovjetikët e Stalinit që mjaftonte të dyshonte për dikë dhe e mbyllte në burg dhe më pas tentonte t’i provonte fajin. Demokracia është krejt e kundërta. Çdokush është i pafajshëm deri sa gjykata të vendosë ndryshe në formë përfundimtare”, tha analisti Vangjeli në ABC Live me Sibora Bitrin.
Duke ju referuar sistemit të drejtësisë, ai tha se ky sistem është në reformim, ajo që duhet të ndryshojë është mentaliteti i përgjithshëm, jo vetëm i aktorëve të sistemit, por edhe të vetë shoqërisë shqiptare.
“Po ju jap një shembull për t’ju treguar thellësinë e këtij mentaliteti sovjetik në Shqipëri dhe ndryshimin që kemi në këtë pikë me Perëndimin. Një shqiptar i kapur duke vjedhur një celular, dërgohet në arrest me burg dhe i mbyllet qelia me 25 çelësa dhe harrohet aty duke e “detyruar” ministrin e drejtësisë Ulsi Manja të paguajë 25 euro për çdo ditë qëndrimi në paraburgim. Si ai edhe të tjerë, kalben brenda dhe askush nuk kujtohet; madje as Lefter Koka, aktualisht i paraburgosuri më i famshëm nën arrest, nuk i ka shpëtuar këtij fati. Të paraburgosurit qëndrojnë për muaj e ndonjëherë me vite në paraburgim në pritje të procesit të tyre”, tha Lorenc Vangjeli.
Sipas analistit Lorenc Vangjeli demokracia si sistem afron një qasje krejt tjetër. Arresti me burg është një masë ekstreme ndalimi që përdoret vetëm në raste të veçanta dhe kushte të tillë.
Paraburgimi vlen atëherë kur i pandehuri rrezikon të largohet e t’i shmanget hetimit, të prishë provat apo kërcënojë dëshmitarët, kur afron sërish një rrezikshmëri të madhe shoqërore dhe rrezikon të përsërisë të njëjtën vepër.
Ndërkohë që sot, sipas Vangjelit, për çdo të burgosur, ka një qytetar që pret procesin si i paraburgosur. Vangjeli thotë se ka masa të tjera, të përcaktuara në Kodin e Procedurës penale që mund të përdoren për shumicën e rasteve ndaj personave që janë nën hetim. Nga arresti në shtëpi, detyrimi për paraqitje, bllokimi i pasaportës, garancia pasurore e të tjerë.
“Dhe mbasi gjyqtari të shpallë fajësinë në formë të prerë, atëherë mund të flitet për heqjen e lirisë dhe vuajtjen e dënimit. Në këtë kuptim që nga keqbërësi i vogël që i fut tjetrit dorën në xhep në autobusin e unazës e deri tek Lefter Koka, të cilin tashmë gjykata popullore e rrugës e ka shpallur fajtor pa të drejtë ankimimi, drejtësia duhet të gjejë një mënyrë krejt tjetër trajtimi”.
Lorenc Vangjeli, i cili prej vitesh ka formuluar një tezë të tillë, beson se ka një nevojë ulëritëse për të ndryshuar pikërisht mentalitetin e shoqërisë në këtë drejtim. Për të respektuar individin, për të mos vënë ndëshkimin në plan të parë, por mundësinë e rehabilitimit, për të mos e parë burgun si qëllim në vetvete, por si mjet për të siguruar rend, qetësi dhe ndëshkueshmëri të mëkatarëve.
Për më shumë ndiqni videon e emisionit ABC Live, të gazetares Sibora Bitri, duke nisur që nga minuta e 29.34. /abcnews.al/