Pep Guardiola ka fituar dy herë Champions League në rolin e trajnerit. Spanjolli triumfoi me Barcelonën e tij fantastike në vitet 2009 dhe 2011, duke mposhtur në të dyja rastet Manchester United e Alex Ferguson. 49-vjeçari nuk ia doli ta përsëriste një sukses të tillë gjatë tre viteve që drejtoi Bayern Munchen.
Të njëjtën gjë po tenton edhe te Manchester City, teksa ky është sezoni i katërt në krye të kampionëve të Anglisë. Që prej vitit 2011 nuk ka dalë më në finalen e më të fortëve. Në vitin 2014 ishte afër, teksa Bayerni i tij përballej me Realin e Ancelottit në gjysmëfinale.
“Los Blancos” fitonin 1-0 ndeshjen e parë në shtëpi dhe nuk përmbaheshin në Mynih, duke shkatërruar vendasit 0-4. “Ideja taktike e Pepit ishte që Bayerni të priste, të kishte durim dhe të lexonte lojën e Realit, por lojtarët donin të vepronin urgjentisht, donin të ishin të stuhishëm”, deklaron për Kicker, Domenec Torrent.
Ish-ndihmësi i Guardiolës vazhdon më tej, duke kujtuar atë humbje të dhimbshme. “U bënë shumë gabime në fazën mbrojtëse, u falën shumë gola, por ndodhin gabime të tilla. Pep donte të mbanin topin, por mund të kishim humbur sërish 0-4, ndoshta edhe 0-5”, thekson Torrent. /abcnews.al