Në konferencën për shtyp që po mbahet në Austri në prag të ndeshjes së dytë miqësore ndaj Azerbajxhanit, trajneri Sylvinho është pyetur nëse është i kënaqur me punën dhe përkushtimin e grupit të lojtarëve në prag të miqësores së fundit, por edhe për Euro 2024.
A jami kënaqur për formën e lojtarëve që po luajnë aktualisht dhe a do të ndryshoja diçka për përgatitjet?
“Lojtarët po luajnë shumë mirë të gjithë, janë duke bërë maksimumin e tyre. Po shkojmë të marrim pjesë në një turne prestigjoz, dhe ne duhet të shkojmë për të marrë më të mirën.
Unë jam shumë i kënaqur me përgatitjen e lojtarëve, kemi disa ditë që po punojmë nga Tirana dhe në Austri. Lojtarët i kam parë të karikuar, të motivuar për në Gjermani. Ne kemi pasur mundësinë që të përgatitemi sa më mirë në prag të Europianit dhe kemi parë lojtarë tepër të karikuar.”/h.ll/abcnews.al