Analisti Roland Bejko, i ftuar në emisionin “News Line” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit politike duke u ndalur te lëvizjet strategjike të Sali Berishës. Sipas tij, ish-kryeministri po shfrytëzon hapësirat ligjore për të krijuar sa më shumë grupe parlamentare që do ta përfaqësojnë në Kuvend, një veprim që e cilëson si pragmatist dhe të menduar mirë.
Bejko thotë se kjo “shumicë artificiale” në Parlament do të përdoret nga Berisha si instrument në përballjen me drejtësinë, duke synuar edhe bllokimin e punës parlamentare. Në të njëjtën kohë, analisti thekson se kryeministri Rama, duke pasur një mazhorancë absolute, ka luksin për të ndërmarrë politika radikale gjatë mandatit të tij të katërt.
“Berisha ka bërë një lëvizje pragmatiste, në hapësirat që ka krijuar ligji, sepse Berishës i nevojitet që të përfaqësohet në Parlament me sa më shumë zëra. Nga njëra anë është një lëvizje e zgjuar e Berishës sepse do të ketë më shumë grupe parlamentare që do të përfaqësohen nga ai. Berisha do të përfitojë nga shumësia e grupeve, në përballjet e tij me drejtësinë. Do që të maksimizojë, në një vizion optik, numrin që ka. Berisha është një lojtar i vjetër.
Ai e ka strategjinë e gjatë, në ADN-në e tij ai ka luftën. Berisha do të mundohet që ta nxjerrë nga funksioni parlamentin, për të bllokuar punën, komisionet e shumë të tjera. Parlamenti nuk ka për të qenë një institucion serioz. Berisha kërkon që të rregullojë raportin me historinë. Rama e ka luksin ka një mazhorancë absolute, që të bëjë sukses në mandatin e katërt duhet që të bëjë politika radikale. Rama ka krijuar inxhinierinë e votës”, tha analisti Bejko./abcnews.al

