Lojërat Speciale në Berlin, Shqipëria kthehet me 5 medalje

schedule10:50 - 26 Qershor, 2023

schedule 10:50 - 26 Qershor, 2023

Lojërat Olimpike Speciale Berlin 2023 ulën siparin mbrëmjen e të dielës në Brandenburg, në një ceremoni po aq spektakolare sa vetë eventi, ku prej datës 17 qershor, sportistët me aftësi ndryshe treguan se janë të njëjtë, në sport e në jetë.

Në ceremoni morën pjesë presidenti i Special Olympic International, Timothy Shriver, teksa flaka olimpike u dorëzua te organizatorët e Lojërave të radhës, që do të mbahen në Torino më 2025-ën, para se të shpërthenin fishekzjarret.

Nën mbështetjen e pakufizuar të Coca-Colas, në Lojërat Olimpike Speciale të Berlinit u përfaqësua me 10 sportistë edhe Shqipëria, që garoi në sporte si noti, peshëngritja, atletika e basketbolli, teksa grupi udhëhiqej nga solisti i mirënjohur i grupit West Side Family, Roland Hysi.

Ndonëse një event ku rezultati sportiv kalon në plan të dytë, sportistët e Special Olympics Albania ia dolën të bëjnë një përfaqësim dinjitoz, duke i dhënë vendit tonë edhe medaljet e para Olimpike.

Rezultatet e sportistëve të Special Olympics Albania

Rezultati më i mirë ishte padyshim ai i notarit Gersi Troka, që ia doli të marrë medalje të artë në 200 metra stil i lirë, e para medalje e artë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale.

Vetëm një ditë më vonë, bëri një garë mjaft të mirë edhe peshëngritësi Adi Sula, që i dha Shqipërisë plot 4 medalje, dy argjendi e dy bronzi, duke konfirmuar traditën e mirë të kuqezinjve në ngritjen e shtangës.

Në atletikë, Lulzim Koçi tërhoqi vëmendjen mediave botërore për mënyrën e festimit, e ngjashme me atë të atletit më të madh Usain Bolt, teksa videoja bëri me shpejtësi xhiron e rrjeteve sociale.

Ndërsa në basketboll, sportistet e Special Olymics Albania shijuan emocionet e pjesëmarrjes, por edhe duartrokitjet e vullnetarëve në shkallët e impianteve sportive, çka në thelb ishte edhe qëllimi i këtyre i eventit./ h.ll/abcnews.al