Një virus ka prekur rojet që do të kujdeseshin për sigurinë gjatë Lojërave Olimpike Dimërore. Ndonëse nuk dihet nëse incidenti ka lidhje me tensionet mes dy Koreve, ai nuk i shërben qetësimit të ujërave që synohet të arrihet përmes këtij eventi.
Ulja e tensioneve mes dy Koreve, që synohet të arrihet përmes Lojrave Olimpike Dimërore që do të mbahen në Jug, duket se nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur. Një numër i lartë agjentësh të sigurisë të angazhuar për mbarëvajtjen e eventit sportiv janë dërguar në spital pasi janë prekur nga një virus. Agjentët kanë patur të vjella dhe diare që prej ditës së diel, situatë që ka detyruar autoritetet të thërrasin ushtrinë. Sipas mediave ndërkombëtare, rreth 1.200 agjentë janë tërhequr nga ambjentet sportive, ku do të zhvillohen lojrat, nga të cilët 41 kanë shfaqur simptomat e sipërpërmendura. Ata kanë marrë mjekimet e duhura, ndërkohë që stafi organizativ i eventit ka kërkuar falje për sa ka ndodhur. Lojërat Olimpike Dimërore pritet të nisin ditën e premte. Zëdhënësi i komisionit organizativ ka deklaruar se një sërë masash janë marrë për të shmangur përsëritjen e ngjarjes. “Janë marrë masa serioze sa i takon ushqimit dhe pijeve. Ndërkohë, së shpejti e gjithë zona do të dezinfektohet”, ka thënë zëdhënësi. Mësohet se rreth 900 trupa ushtarake kanë zëvendësuar agjentët e sigurisë, të cilët ishin të agjencive private./abcnews.al