Lojërat Olimpike/ Japonia merr kryesimin, baraz me medalje me Korenë e Jugut dhe Australinë

schedule15:36 - 29 Korrik, 2024

schedule 15:36 - 29 Korrik, 2024

Nuk besohet se do të kryesojnë në fund, por krenaria e momentit është e madhe.

Japonia u barazua me Korenë e Jugut dhe Australinë, duke pasur nga 4 medalje të arta në Lojwrat Olimpike, ndërsa është në vend të parë në klasifikim me 7 medalje gjithsej.

Në “skateboard” triumfoi një 14-vjeçare. Coco Yoshizawa la prapa japonezen tjetër, Liz Akama, në një garë të mbajtur në Sheshin e Famshëm të Kondordës, më i madhi i Parisit.

Në xhudo, japonezët morën dy medalje të arta.

Kjo, për meshkuj në kategorinë deri 66 kg, ku Hifumi Abe mundi brazilianin Willian Lima, si dhe për femra deri në 48 kg, me kampionen e re Natsumi Tsunoda që triumfoi në finale ndaj rivales nga Mongolia.

Në garat me shpata, Japonia fitoi një tjetër të artë, këtë herë me kampionin Koki Kano, i cili mundi francezin Yannick Borel në garën me shpatën më të rëndë që pranohet në Lojrat Olimpike. Kano ia doli 15-9, ndërsa medaljen e bronzit e mori egjiptiani Mohamed Elsayed.

Medaljen e artë për femra e fitoi amerikania Lee Kiefer, në një finale krejtësisht amerikane, përballë Lauren Scruggs.

Italiani Nicolo Martinenghi shkaktoi një të papritur të madhe në garat e notit, me 24-vjeçarin nga Apeninet, që mundi fiks në finish favoritin e 100 metrave bretkosë për meshkuj, britanikun Adam Peaty.

Kampioni i dyfishtë olimpik, në Rio 2016 dhe Tokio 2021, u shtang dhe mbeti prapa vetëm me dy të qindat e sekondës.

Martinenghi dha kohën 59”03, ndërsa në një finale tepër emocionuese amerikani Nic Fink përfundoi me të njëjtën kohë si britaniku, 59”05, duke marrë medaljen e bronzit.

Franca fitoi një tjetër medalje të artë, këtë herë në pishinë.

Leon Marchand triumfoi në mënyrë bindëse ne 400 metra të përziera për meshkuj. Kampioni i ri olimpik dha kohën 4’02”95, një rekord i ri olimpik, ndërsa është edhe rekordmen botëror në fuqi.

Japonezi Tomoyuki Matsushita mbeti rreth 6 sekonda prapa, një diferencë tepër e madhe në një distancë të tillë, ndërsa medaljen e bronzit e mori amerikani Carson Foster, që u mund nga japonezi vetëm për 4 të qindat.

Dominim amerikan në 100 metra flutur për femra.

Torri Huske fitoi të artën me 55”59, pas një dueli tepër të fortë me patrioten e saj, Gretchen Walsh, që mbeti 4 të qindat prapa, ndërsa në vendin e tretë, paksa më e distancuar, kinezja Zhang Yufei. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!