Lojërat Olimpike/ Australia kryeson në not, “Kangurët” fitojnë një tjetër medalje, podiumin e zë dhe një ballkanas

schedule20:56 - 30 Korrik, 2024

schedule 20:56 - 30 Korrik, 2024

Ballkani e ka një kampion edhe në pishinë.

Rumania fitoi të artën e parë në not në një Olimpiadë, dhe këtë krenari të madhe e realizoi David Popovici, një njeri stoik në sport dhe në jetë, dikush që pëlqen thjeshtësinë, ia doli në 200 metra stil I lirë.

Rumuni dominoi që nga raundi u parë, në gjysmëfinale e pastaj në finale, duke triumfuar me kohën 1’44”72.

Një garë dramatike, pasi britaniku Matthew Richards u dorëzua vetëm për 2 të qindat e sekondës, ndërsa amerikani Luke Hobson ishte gjithashtu shumë pranë, me 1’44”79.

Kur themi not, në Paris kujtojmë menjëherë Australinë, dhe vendi kontinental e fitoi të artën edhe ditën e tretë.

Në 200 metra stil I lirë për femra e para doli Mollie O’Callaghan me rekordin e ri olimpik, 1’53”27. Në vendin e dytë, një kampione e madhe australiane si Ariarne Titmus, me 54 të qindat vonesë. Medaljen e bronzit e mori Siobhan Haughey e Hong Kongut.

Në 100 metra bretkosë për femra, medaljen e artë e mori favoritja Tatjana Smith e Afrikës së Jugut me kohën 1’05”28. Pas saj, kinezja Tan Qian Ting, ndërsa e treta doli irlandezja Mona McSharry, që i dha vendit të saj medaljen e parë në këtë Olimpiadë.

Në 400 metra të përzier për femra, medaljen e artë e fitoi rekordmenia botërore, Summer McIintosh e Kanadasë, me kohën 4’27”71. Amerikania Katie Grimes mbeti gati 6 sekonda prapa, ndërsa bronzin e mori amerikania tjetër, Emma Weyant.

Italiani Thomas Ceccon i dha vendit të tij medaljen e dytë të artë. Ai triumfoi në një garë tepër të vështirë në pishinë, në konkurrencë me kinezin Xu Jiayu dhe amerikanin Ryan Murphy.

Ishte distanca 100 metra shpinë, dhe Ceccon kaloi në krye në gjysmën e dytë, duke kaluar kinezin e duke prekur cakun me kohën aspak të keqe prej 52 sekondash. Xu mbeti 32 të qindat prapa, ndërsa Murphy mori medaljen e bronzit.

Në not, Australia ka 4 medalje ari e 3 argjendi, duke lënë prapa Shtetet e Bashkuara, ndërsa në tabelën totale të medaljeve Japonia kryeson me 7 të arta, 2 argjendi e 4 bronzi, e ndjekur nga Kina,  Australia me 6 në total dhe Franca. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!