Tokio ka raportuar rritje të rasteve me Covid, disa prej të cilave janë identifikuar edhe te stafi i Lojërave Olimpike. Numri i rasteve ka shënuar rritje gjatë javëve të fundit, me autoritetet që kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tokio dhe në pesë zona të tjera deri më 31 gusht, shkruan BBC
Sa raste janë shënuar në Olimpiadë?
Të dhënat e mbledhura nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) tregojnë se që nga data 2 gusht, janë raportuar gjithsej 281 raste me Covid. Kjo përfshin jo vetëm atletët, por edhe punonjësit e komitetit organizativ të Olimpiadës dhe të komiteteve kombëtare, punonjësit dhe vullnetarët si dhe anëtarët e mediave.
Por ka pasur edhe raste në mesin e shtetasve të huaj – kryesisht në mesin e zyrtarëve dhe stafit të komiteteve olimpike kombëtare. Ekzistojnë rregulla të rrepta të sigurisë anti-Covid për konkurrentët dhe zyrtarët, gjithashtu atletët dhe personat e tjerë po testohen çdo ditë, raporton abcnews.al
Numri i rasteve në Japoni
Numri i rasteve ka shënuar rritje, duke tejkaluar kulmin në janar dhe në maj të këtij viti. Më 1 gusht, Ministria e Shëndetësisë raportoi më shumë se 10,000 raste të reja, por numri i viktimave mbetet i ulët.
Si do të ndryshojë Covid Lojërat Olimpike?
Në qytetin pritës të Tokios, ekspertët thanë që shkalla ditore e rasteve duhej të ishte nën 100 në mënyrë që Lojërat Olimpike të zhvilloheshin të sigurta. Numri i rasteve ka shënuar rënie që nga mesi i majit, duke shkuar nën 400 raste në ditë.
Por tashmë numri i rasteve ka shënuar rritje . Sipas Our World in Data, që nga 26 korriku, mbi 75% e rasteve janë për shkak të variantit Delta. Autoritetet shëndetësore të qytetit raportuan një mesatare 7 ditore më shumë se 3,000 raste në 24 orë.
Tokio ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe eventet olimpike në prefekturën Fukushima po zhvillohen pa spektatorë. Për Tokion, ekzistojnë masa specifike të tilla si kufizimet në orarin e hapjes së restoranteve dhe kufizimeve në shërbimin e alkoolit, raporton abcnews.al
Banorët e kryeqytetit gjithashtu janë këshilluar që të shmangin udhëtimet jo thelbësore, të mbajnë maska dhe të punojnë nga shtëpia.
Sa persona janë vaksinuar në Japoni?
Që nga 29 korriku, 28% e njerëzve në Japoni janë vaksinuar plotësisht. SHBA, Franca dhe Gjermania kanë vaksinuar rreth gjysmës së popullsisë së tyre, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 55% e personave janë vaksinuar plotësisht.
Japonia filloi fushatën e vaksinimit në shkurt, më vonë se shumica e vendeve të tjera të zhvilluara. Pfizer, për disa muaj, ishte vetmja vaksinë e miratuar në Japoni.
Por shqetësimet në lidhje me efektet anësore kanë kontribuar në hezitimin ndaj vaksinave në të kaluarën. Një studim i Imperial College London në 15 vende zbuloi se Japonia kishte nivelet më të ulëta të besimit ndaj vaksinave të koronavirusit.
Përhapja e vaksinave është penguar gjithashtu nga mungesat e furnizimit dhe pengesat burokratike.
Çfarë masash të tjera ka miratuar Japonia?
Japonia – ndryshe nga disa vende të tjera nuk zbatoi bllokime të rrepta ose mbylli plotësisht kufijtë e saj në momentin që u përhap pandemia.
Në Prill 2020, qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Bizneset jo thelbësore u mbyllën, por nuk u ndëshkuan se nuk respektuan masat. Edhe pse ka një popullsi të madhe të moshuar dhe qendra urbane të populluara, Japonia rezultoi relativisht e suksesshme në mbajtjen në kontroll të virusit dhe shmangien e niveleve të larta të vdekjeve.
Sidoqoftë, vendi regjistroi shpërthime të virusit gjatë gjithë vitit 2020 dhe në mbarë vendin, numri i rasteve u rrit ndjeshëm gjatë 3 mujorit të fundit të 2020 dhe arriti kulmin në janar. Në atë kohë, qeveria u përball me kritika mbi një fushatë që inkurajonte udhëtimet e brendshme për të rritur ekonominë.
Përktheu Sonila Backa-abcnews.al