Kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump është në kërkim të një aleati të fortë ekonomik, pas betejës së tarifave me Kinën në përpjekje për të çuar deri në fund objektivin e tij “Amerika në vend të parë”.
Zbutja e befasishme e tensioneve diplomatike – tregtare mes Shteteve të bashkuara të amerikës dhe Bashkimit europian pas takimit Trump – Junket në 25 Korrik, konfirmoi impulsivitetin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Në të njëjtën kohë, takimi i Uashingtonit shënon një pikë domethënëse në favor të aftësisë diplomatike të Juncker në promovimin e një roli konstruktiv dhe të hapur të Bashkimit Europian përballë zgjidhjes së konflikteve. Por mbeten ende për t’u parë reagimet e Këshillit dhe Parlamentit Europian për të arsyetar mbi faktet përtej premtimeve verbale.
Impenjimi i dyanshëm për një bashkëpunim drejt objektivit për zerimin e taksave dhe barrierave, i theksuar në deklaratën e përbashkët për shtyp, në përfundim të takimit: lë të kuptohet një hapje pozitive për negociatat transatlantike – TTIP – që deri pak muaj më parë dukeshin të braktisura si pasojë e këndvështrimeve të ndryshme nga të dyja palët.
Edhe pse është herët për t’u thënë, diçka ka ndryshuar. Me premtimin për më shumë importime të sojës dhe gazit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Europë, Juncker i forcohet Trump si një partner premtues përballë kërcënimeve të Kinës, nga e cila prodhuesit amerikanë të farave të sojës varin 60 për qind të prodhimit të tyre.
Kujtimet dramatike të depresionit 1929-1933, të reflektuar në rrënimin e tre të katërtave të tregtisë botërore para marrëveshjes së re të Ruzvelt, nuk janë fshirë nga mendja e politikanëve përtej oqeanit. Por sidomos tundimet nacionaliste, sovraniste dhe të njëanshme të qeverisë që dalin në pah në skenën politike dhe në opinionin publik të dy kontinenteve kanë gjetur një barrierë të fuqishme në praninë gjithnë e më të rrënjosur në treg të sipërmarrjeve të mëdha dhe të mesme ndërkombëtare.
Ekspertët theksojnë se jetojmë gjithnjë e më shumë në një botë ku dhe produktet tradicionale janë gjithnjë e më shumë rezultat i proceseve që kalojnë kufijtë e vendit nëpërmjet zinxhirit global të vlerës.
Jo vetëm, penalizimi i importeve në emër të motos “Amerika në vend të parë” rrezikon të vetëdëmtojë sipërmarrjet më të mira amerikane. Të dhënat tregojnë se rreth 80 për qind e importeve amerikane të kompjuterave, 63 për qind e aparaturave elektronike, dhe 59 për qind e makinerive jo elektrike kanë një vlerë të madhe të prodhuar nga sipërmarrjet ndërkombëtare që veprojnë jashtë territorit amerikan.
Ndërkohë, vlen pyetja nëse Kina e Xi Jinping është një aleate e Europës në përpjekje për të shpëtuar sistemin kompleks të vënë në krizë nga Donald Trump, apo një rivale, ose dhe një armike e demokracive liberale në një mënyrë që mund të rikompozojë hartën ekonomike globale? Apo të dyja gjërat së bashku?
Kjo pyetje zë gjithnjë e më shumë vend pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pavarësisht zig zageve të tij diplomatike, ka ndërmarrë një ofensivë të përgjithshme kundër sistemit kompleks të 70 viteve të fundit në favor të një politike “Amerika në vend të parë”.
Jo shumë kohë më parë e njëjta pyetje do të ishte bërë në një këndvështrim tjetër. Europianët po bëheshin gjithnjë e më kritikë përballë praktikave tregtare kineze për shkak të mungesës së reciprocitetit dhe “rrugëve të mëndafshit” të ndërtuara eksluzivisht në avantazh të Pekinit.
Por çdo gjë ndryshoi me agresivitetin e Trump, i cili nisi një betejë tregtare në 360 gradë edhe kundër aleatëve të tij europianë që tashmë i cilëson si armiq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vështirë të harrohet samiti i G7-s e më pas ai i NATO-s, si dhe takimi me homologun e tij rus Vladimir Putin, ngjarje që u pasuan me disa ditë kaotike për atë që u tha ose jo.
Kështu, pa e thënë me zë të lartë, europianët nisën të forcojnë marrëdhëniet politike dhe tregtare duke firmosur në 17 Korrik marrëveshjen më të rëndësishme të shkëmbim të lirë me Japoninë, një tjetër aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili po tregohet më i kujdesshëm si pasojë e qëndrimit të Trump dhe duke mbajtur anën e Kinës në këtë betejë ekonomike mes dy vendeve.
Gjermania është e para në linjë sepse ky vend sëbashku me Kinën regjistrojnë shkëmbimet më të mëdha tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e për këtë arsye vuajnë më shumë pasojat. Jo rastësisht në prag të samitit të NATO-s, kancelarja gjermane Merkel priti në Berlin kryeministrin kinez. Ndërsa Pekini më në fund la të lirë pas muajsh të tërë presioni nga ana e Gjermanisë, Liu Xia, të venë e disidentit kinez dhe çmimit Nobel për paqe Liu Xiaobo, ajo aktualisht jeton në kryeqytetin gjerman.
Disa ditë më vonë ishte radha e Bashkimit Europian të drejtuar nga presidenti Donald Tusk, i cili shkoi në Pekin për një samit BE–Kinë. Në këtë rast Pekini zyrtar u shpreh se si pasojë e situatës aktuale është shumë e rëndësishme që të përhapet ideja e shkëmbimit të lirë tregtar. Një fjali e cila në të kaluarën mund të ishte thënë nga një zyrtar i lartë amerikan në lidhje me botën komuniste.
Në fakt Kina ka shumë për të humbur në stuhinë ekonomike të nisur nga Trump. Pavarësisht suksesit ekonomit të 20 viteve të fundit, vendi mbetet i prekshëm duke qenë se pjesa më e madhe e buxhetit varet nga tregtia e jashtme. Si dhe vendi është shumë larg të qenit autonom në nivel teknologjik.
Tensionet aktuale ndërkombëtare kanë shkaktuar kritika të brendshme ndaj presidentit Xi Jinping, i cili fjaësohet se nuk i braktisur doktrinat e të kaluarës duke u treguar shumë i mbyllur në çështjet ndërkombëtare. Por nga ana e tij, presidenti kinez shprehet se kishte ardhur moment i Kinës dhe se strategjia e tij politike mbështet një rivalitet prej lufte të ftohtë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Eksperti amerikan për çështjet kineze, Bill Bishop, në profilin e tij Twitter shkruan se presidenti kinez Xi Jinping dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kuptuars e objektivi i presidentit Trump është të shkatërrojë Kinën. Për këtë arsye Pekinit i intereson të sillet mirë me Europën meqënëse tashmë dhe Brukseli është në objektivin e presidentit amerikan.
Gjithësesi, këto dy blloqe të mëdha, Kina fuqia e dytë ekonomike botërore dhe Bashikimi Europian tregu i parë në botë nuk kanë të njëjtat interesa. Në mënyrë paradoksale Bashkimi Europian që ka të njëjtat kritika si kreu i Shtëpisë së Bardhë për praktikat tregtare dhe industrial kineze, mund të kishte rënë dakord me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për presion të përbashkët ndaj Kinës. Por duke u kundërvënë njëkohësisht ndaj Pekinit dhe Brukselit, Trump shkaktoi afrimin e dy blloqeve që po sulmon.
Zhvillimet gjeopolitike janë vetëm në fillim dhe do të jetë Trump që do të caktojë kohën, nëse do të vendosë të vazhdojë betejën e tij kundër Kinës pas tarifave të para. Një gjë që duket i vendosur ta bëjë duke e konfirmuar me objektivin e tij më të fundit: vendosja e tarifave të reja për 200 miliardë dollarë importime të tjera kineze. Një vendim që përfaqëson një deklaratë të mirëfilltë lufte ndaj Kinës.
Në fakt administrata Trump do të propozojë në ditët e ardhshme rritjen e tarifave për 200 miliardë dollarë të produkteve kineze që importohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi është konfirmuar nga agjencia Bloomberg, që shpjegon se si tarifat për këto produkte do të rriten nga 10 për qind që janë aktualisht në 25 për qind. Objektivi është që të ushtrohet presion ndaj Pekinit duke risjellë në tryezën e negociatave autoritetet kineze.
Në 30 Gusht përfundon periudha e konsultimeve edhe publike, që kanë nisur në Qershor për tarifat në fjalë. Nëse tarifat e deritanishme të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë prekur produktete e kolosit të teknologjisë Apple, tarifat e reja do të prekin 40 për qind të produkteve që Kina nis çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë dhe aksesorët e Apple.
Sipas Bloomberg, Uashingtoni nuk ka marrë ende një vendim. Por pritet që të rriten çmimet e televizorëve, veshjeve, çarçafëve, kondicionerëve dhe shumë produkteve të tjera popullore mes konsumatorëve amerikanë. Lista ishte publikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas 6 Korrikut kur Uashingtoni vendosi tarifa prej 25 për qind në 34 miliardë dollarëve të produkteve kineze.
Pekini reagoi duke ndërmarrë masa të reja që po prekin dhe sojën amerikane. Jo rastësisht departamenti amerikan i Agrokulturës ka paralajmëruar një program ndihme prej 12 miliardë dollarësh në favor të sektorit.
Gjithësesi ky afrim mes Bashkimit Europian dhe Kinës shënon një zhvillim domethënës të marrëdhënieve të forcave ndërkombëtare, sidomos në sektorin tregtar ku Europa mbetet fuqia e madhe që nuk është më në çështjet strategjike apo politike.
Rastësi ose jo gjoba prej më shumë se katër milliardë eurosh që Komisioni Europian i vendosi Google për abuzim me pozicionin e tij dominues përforcoi imazhin e një distance mes Bashkimit Europian dhe Uashingtonit. Nuk është gjoba e parë ajo shumë më e madhe u vendos ndaj Apple gjatë kohës së administratës Obama kundër një gjiganti teknologjik amerikan. Por presidenti amerikan Donald Trump reagoi menjëherë në profilin e tij Twitter duke thënë se Bashkimi Europian po dëmton një nga sipërmarrjet më të mëdha amerikane duke përfituar ende nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jo për shumë kohë.
Kjo klimë tensionesh rrezikon te zgjasë dhe disa muaj të paktën deri në zgjedhjet amerikane të mes mandatit në fillim të muajit Nëntor. Atëherë do të kuptohet nëse amerikanët do mbështesin ende presidentin e tyre.
E nëse e mbështesin, kjo luftë e re do të bëhet dhe më e ashpër dhe ndryshimet e aleancave dhe më spektakolare. Por presidenti amerikan Trump gjithsesi nuk heq dorë nga aleatët europianë duke shfrytëzuar pikat e përbashkëta dhe ato lidhëse.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të presidentit amerikan, Donald Trump dhe kryeministrit të Italisë, Giuseppe Conte u diskutua edhe çështja e gazsjellësit Trans-Adriatik. Dhe pse kreu i ekzekutivit italian para se të nisej në Uashington kishte një prioritet tjetër, atë të krizës së emigrantëve.
Departamenti amerikan i Shtetit kërkoi vijimin e punës për realizimin e projektit, ndërsa në Itali ka kundërshtime nga autoritetet vendore. Por kryeministri italian ishte i qartë kur tha se Roma e kupton rëndësinë strategjike të këtij projekti për të gjithë Mesdheun dhe jugun e Europës. Ai u shpreh i bindur se qeveria do të punojë me autoritetet vendore në Itali për të ngushtuar diferencat.
Conte tha gjithashtu se qeveria italiane eshte plotësisht e vetëdijshme për faktin se ky projekt mund të japë një kontribut edhe në rinovimin e sistemit energjetik i cili është pjesë e programit të tij qeverisës. Për paqartësinë nga komunitetet vendore, në territoret ku do të kalojnë tubacionet, kryeministri italian premtoi se, sapo të kthehet në Itali, ai do të takohej me kryebashkiakët e këtyre zonave duke u përpjekur për të gjetur një zgjidhje e cila do të marrë parasysh edhe shqetësimet e tyre.
Presidenti amerikan Trump nga ana e tij shtoi se do të donte ta shihte këtë projekt, si një gazsjellës konkurrues me linjat e tjera që sjellin gazin rus në Europë.
Ndërtimi i linjës që do të sjellë gazin nga Azerbajxhani në Europë është pothuajse në përfundim të tij në rajonin e Ballkanit. Në Greqi dhe Shqipëri puna po ecën me ritme të shpejta dhe projekti pritet të përfundojë brenda afateve, ndërkohë që në Itali ende nuk janë ende të qartë për vendimin që do të merret./abcnews.al