Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

Lodhja, të gjitha rreziqet që fshihen pas saj. Alarm që japin 5 organe e ne nuk e dëgjojmë

schedule11:57 - 17 Prill, 2026

schedule 11:57 - 17 Prill, 2026

Lodhja sot është kthyer në një “normalitet” të rrezikshëm. Shumë njerëz e justifikojnë me ritmin e shpejtë të jetës, stresin apo mungesën e kohës për pushim. Por në të vërtetë, kur lodhja bëhet e përditshme dhe nuk largohet as pas gjumit, ajo është një alarm i qartë që diçka nuk po funksionon siç duhet në organizëm.

Shpesh ndodh që të zgjohesh i lodhur, pa energji dhe pa një arsye të dukshme. Gjatë ditës ndihesh i përgjumur, pa përqendrim dhe i irrituar. Kjo nuk është thjesht lodhje e zakonshme është një sinjal që trupi kërkon vëmendje. Lodhja mund të jetë fizike ose mendore. E para lidhet me trupin: mungesë force, plogështi dhe ndjesi rëndese. Ndërsa lodhja mendore shfaqet përmes konfuzionit, stresit dhe vështirësisë për t’u fokusuar. Në shumë raste, këto dy forma ndërthuren dhe e bëjnë gjendjen edhe më të rëndë.

Por çfarë fshihet pas kësaj lodhjeje?
Një nga shkaqet kryesore lidhet me funksionimin e organeve. Zorrët, për shembull, janë përgjegjëse për përthithjen e vitaminave dhe mineraleve që prodhojnë energji. Kur mikrobioma është e çrregullt, trupi fillon të ndiejë lodhje kronike dhe fryrje. Po ashtu, mëlçia, “filtri” i organizmit, kur mbingarkohet nga ushqimet e rënda, alkooli apo toksinat, ul ndjeshëm nivelin e energjisë.
Edhe truri luan një rol kyç. Stresi i vazhdueshëm e mban atë në gjendje alarmi, duke konsumuar energji në mënyrë të vazhdueshme dhe duke çuar në lodhje mendore. Ndërkohë, problemet me tiroiden, sidomos funksioni i ulët i saj, ngadalësojnë metabolizmin dhe shkaktojnë plogështi, shtim në peshë dhe mungesë energjie.



Një faktor tjetër i rëndësishëm është gjaku. Kur mungon hekuri ose vitamina B12, transporti i oksigjenit në trup ulet dhe kjo reflektohet menjëherë në dobësi dhe lodhje.
Por jo gjithmonë shkaku është një sëmundje. Shpesh, lodhja është pasojë e stilit të jetesës. Ushqimi i dobët, i varfër në vlera ushqyese, nuk i jep trupit energjinë që i nevojitet. Ushqimet e përpunuara dhe sheqeri japin një energji të shpejtë, por e rrëzojnë menjëherë, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm lodhjeje.

Edhe gjumi luan një rol vendimtar. Nuk ka rëndësi vetëm sa orë flemë, por edhe cilësia e gjumit. Ekranet, stresi dhe rutina e çrregullt ndikojnë drejtpërdrejt në pushimin real të trupit.
Një tjetër armik i energjisë është jeta sedentare. Mungesa e lëvizjes ul qarkullimin e gjakut dhe e bën trupin më të plogësht, duke krijuar paradoksin që sa më pak lëvizim, aq më të lodhur ndihemi.
Kur duhet të shqetësohemi? Kur lodhja është e vazhdueshme, nuk përmirësohet me pushim, ose shoqërohet me simptoma të tjera si marramendje, rënie flokësh apo humbje peshe. Në këto raste, është e domosdoshme konsultimi me mjekun, pasi mund të fshihen probleme më serioze shëndetësore.

Lajmi i mirë është se energjia mund të rikthehet. Një stil jete më i shëndetshëm është çelësi: gjumë i rregullt 7–8 orë, aktivitet fizik i përditshëm, qoftë edhe një shëtitje në natyrë dhe pushime të shkurtra gjatë ditës. Ushqimi është po aq i rëndësishëm. Proteinat cilësore, perimet, frutat, drithërat integrale dhe yndyrat e shëndetshme ndihmojnë në luftimin e lodhjes. Ndërkohë, duhet kufizuar sheqeri, ushqimet e përpunuara dhe kafeina në orët e vona.

Edhe natyra ofron ndihmë: çaji i xhenxhefilit stimulon qarkullimin dhe rrit energjinë, çaji jeshil jep energji të qëndrueshme, kamomili ndihmon gjumin, ndërsa menteja freskon dhe përmirëson përqendrimin. Në fund, lodhja nuk është gjithmonë “normale”. Shpesh ajo është mënyra e trupit për të të thënë: ndalo, dëgjo dhe kujdesu për veten.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!