Menopauza është një fazë natyrale në jetën e çdo gruaje, por shpesh vjen e shoqëruar me ndryshime që jo pak herë shkaktojnë pasiguri, lodhje dhe shqetësime fizike e emocionale. Shtimi në peshë, barku që fillon të fryhet më lehtë, pagjumësia, ankthi apo lodhja e vazhdueshme janë vetëm disa nga sinjalet që shumë gra përjetojnë, pa e kuptuar se pas tyre qëndron një “furtunë” hormonale.
Gjatë menopauzës bie niveli i hormoneve femërore, kryesisht estrogjenit dhe progesteronit, duke sjellë ndryshime të mëdha në metabolizëm. Trupi nis të grumbullojë më lehtë yndyrë, sidomos në zonën e barkut, ndërsa masa muskulare fillon të bjerë. Për këtë arsye, shumë gra ankohen se edhe pse ushqehen si më parë, pesha rritet më shpejt se zakonisht.
Por menopauza nuk ndryshon vetëm peshën. Ndryshimet hormonale ndikojnë edhe te kockat, zemra dhe niveli i energjisë. Densiteti i kockave ulet, trupi nuk ndihet më si dikur, ndërsa disa gra përjetojnë rritje të kolesterolit dhe sheqerit në gjak, duke shtuar rrezikun për sëmundje kronike. Ekspertët theksojnë se ushqimi gjatë menopauzës bëhet më i rëndësishëm se kurrë. Frutat dhe perimet e freskëta, drithërat integrale, peshku dhe ushqimet e pasura me omega-3 duhet të jenë pjesë e përditshme e tryezës. Po aq të rëndësishme janë kalciumi dhe vitamina D, që ndihmojnë në mbrojtjen e kockave, si edhe konsumimi i ujit në sasi të mjaftueshme.
Një tjetër gabim që bëjnë shumë gra është neglizhimi i aktivitetit fizik. Ecja, noti, joga apo ushtrimet e lehta me pesha rekomandohen të paktën 30 minuta në ditë për të mbajtur metabolizmin aktiv dhe për të parandaluar shtimin në peshë. Ndërkohë, gjumi mbetet një tjetër sfidë e madhe. Djersitjet gjatë natës, valët e të nxehtit dhe ankthi shpesh e bëjnë pushimin të vështirë. Pikërisht mungesa e gjumit ndikon në rritjen e oreksit dhe favorizon shtimin në peshë. Specialistët këshillojnë shmangien e telefonit para gjumit dhe kufizimin e kafeinës në orët e mbrëmjes.
Por alarmi më i madh lidhet me shëndetin afatgjatë. Pas menopauzës, rritet rreziku për sëmundje të zemrës, tension të lartë, infarkt dhe diabet të tipit 2, kryesisht për shkak të uljes së estrogjenit.
A është menopauza fundi i energjisë dhe formës fizike? Specialistët thonë jo – por vetëm nëse gratë dinë si të ushqehen, si të lëvizin dhe si të kujdesen për trupin e tyre në këtë etapë të re të jetës.


