Lobimi rus, Gjata: Akuza ishte qesharake, si mund të falsifikonte Basha vulën e vet?!

schedule19:50 - 13 Janar, 2020

schedule 19:50 - 13 Janar, 2020

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, i ftuar pasditen e sotme në studion e Abc News komentoi vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila pushoi hetimet për Lulzim Bashën, Ristanin dhe Dervishin.

“Patjeter këtu do shkonte sepse ishte montuar keq, edhe vetë prokurorët nuk kishin nga t’ia mbanin. Hetimet nisëm për pastrim parash dhe për të larë duar prokurorët lanë vetëm akuzën e falsifikimit të vulave. Prokurorët e kanë frikë Ramën, si djalli temjanin. Pra këta prokurorët e çuan çështjen në gjykatë për falsifikim vule. Dmth, Basha kryetari i PD ka falsifiku vulën e partisë së vet… dhe trupi gjykues normal qe do e rrëzonte këtë akuzë qesharake, se ishte ndërtuar keq dhe nuk qendronte në mënyrë ligjore”, tha Gjata.

I pyetur nga gazetari Endri Xhafo, se çfarë do ndodhte nëse lobisti amerikan do të flsite, Gjata tha se kjo çështje në këtë pikë ku është sot, është e mbyllur se çfarë do të ndodhë më vonë nuk mund të parashikohet. Ai hodhi sërish akuza ndaj Ramës dhe mazhorancës socialiste duke u shprehur se “prokurorët e kanë thirrur 5 herë Lulzim Bashën në organin e akuzës përgjatë dy viteve. Pse e kanë thirrur?! Sa herë ishte keq mazhoranca dhe plasnin skandalet në publik nxiteshin prokurorët të thërrisnin Bashën. Prokuroria nuk heton aferat korruptive të qeverisë, por heton opozitën. Si mendoni ju, nëse nuk do kishte prokurorinë me vete, a mund të bënte kjo mazhorancë gjithë këto zullume që po bën?!”, komentoi Gjata.

Po kështu ai shtoi se prokuroria nuk ka hetuar as dosjet e rëndësishme 339 dhe 184, ku kanë dalë në përgjigje për blerjen e votave, edhe politikanë të njohur të PS-së.

KCK-ja

I ftuar në studion e Abc News, Çlirim Gjata foli edhe për ligjin e trumbetuar nga Rama kundër KÇK-së (kap ça të kapësh).
“I kam hedhur një sy në mënyrë fotografike, vetë drejtues të policisë na e kanë dhënë një kopje, nuk e di nëse do të qendrojë ky draft apo do të ndryshojë. Në bazë të këtij drafti, policia ka të drejtë të kontrollojë prokurorë dhe gjyqtarë, por edhe qytetarët. Këtu shtrohen disa pyetje: drafti ligjor u hodh në treg para 2 muajve, pati kundërshtim dhe u harrua, ndërsa me ligjin antishpifje u avancua…. Çfarë ka këtu? Pse e hodhi sërish në treg ligjin kundër KCK-së? Sepse prokurorët duhet të bëjnë hetimet për Unazën e Re, për kompaninë fantazmë DH Albania, për PPP-të, kryebashkiakët e inkriminuar”, tha Gjata.

Sipas tij, ky ligj është i panevojshëm, sidomos tani që janë ngritur institucionet e reja të drejtësisë, si SPAK. “Si mundet ti jepen kompetenca policisë mbi gjykatën dhe prokurorinë? Pra Rama u thotë prokurorëve që po guxuat të hetoni do ju çoj policinë natën në shtëpi. Është një fantazmë frike e Ramës. Si mendon ai se me policë do zëvendësojë Vettingun?! Ka ligje të reja mjaftueshëm nga organet e reja të drejtësisë, për çfarë duhet anti-KCK? Këtë e kishte edhe Enver Hoxha me sigurimin e shtetit. Ai sheh frikën e hetimeve në horizont. Për mua dhe për PD është një ligj antikushetuese dhe kryetari i KÇK është Edi Rama. Pa ikur Rama nuk luftohet KCK”, u shpreh Çlirim Gjata.

Reforma zgjedhore

I pyetur nga Xhafo nëse PD-ja është dakord për ndryshimin e kodit zgjedhor, Gjata u përgjigj se “sistemi zgjedhor është vullnet politik. Po s’pate vullnet asnjë ndryshim për ligjin zgjedhor nuk bëhet”. Sipas tij, çështja e ndryshimit të sistemit nuk është primare.

“Ndërmjet mazhoritarit dhe proporcionalit unë personalisht s’kam asnjë të preferuar. Aktualisht kemi mazhoritarin dhe nuk kemi luksin të ndërtojmë një sistem të ri, por të realizojmë zgjedhje të ndershme sipas sistemit që kemi. Bazuar në 9 kushtet e Bundestagut gjerman, ne kemi përgatitur një draft për reformën zgjedhore të cilin do ta dërgojmë në zyrën e OSBE dhe do ta bëjmë publik së shpejti”, tha ai.

/abcnews.al