SHQIPËRI- Pensionistët mund të zgjedhin tashmë të marrin pensionin në bankë me zero kosto. Ligji për llogaritë bazike ka hyrë në fuqi dhe parashikon që edhe studentët apo personat që marrin ndihmë ekonomike mund të hapin një llogari ku edhe transfertat brenda vendit mund t’i realizojnë pa komisioni.
“Objekti i këtej ligji janë bankat. Pra, ky ligji detyron bankat që të hapin llogari bankare pa kosto për të gjithë ato shtresa atë popullsisë, të cilat nuk e kanë sot një llogari bankare. Ligji është një përafrim i legjislacionit evropian, pasi përafron direktivën e llogarisë bazike dhe është pjesë përbërëse e gjithë fushatës së Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjerë në lidhje me përfshirjen e popullsisë në edukimin financiar dhe kështu në këtë kuadër ne detyrojmë bankat për hapjen e llogarisë me kosto zero, për të gjitha ato shtresa popullsie, që nuk e kanë pasur këtë llogari deri më sot, ku në radhë të parë përfshihen pensionistët, por edhe shtresat e tjera të margjinalizuara, ato që marrin ndihmë sociale dhe studentët. Të rinjtë në përgjithësi qofshin dhe jo studentë dhe të gjithë të huajt që kanë marrë statusin e refugjatit në Shqipëri’, tha ai.
Drejtori i mbikëqyrjes Financiare Deniz Derralla thekson se kjo nismë ka në fokus rritjen e pagesave nëpërmjet sistemit bankar.
Pritshmëritë janë që përdorimi i bankës për tërheqjen e pension të bëhet një praktikë sidomos për brezat e ardhshëm. Aktualisht në vend e marrin pension në bankë rreth 70 mijë pensionistë.
“Numri i pensionistëve apo i të gjithë atyre që marrin ndihmë sociale është rreth 730 mijë, nga kjo masë vetëm 70 mijë prej tyre marrin pensionin apo ndihmës nëpërmjet bankës dhe pjesa tjetër nuk e kanë këtë mundësi. Ky ligj i ndihmon këta konsumatorë që të kenë mundësi ta marrin pensionin apo ndihmën e tyre nëpërmjet bankës, nuk i detyron, por u jep këtë mundësi”, tha ai.
Por çfarë mendojnë vetë pensionistët ?Ata janë të ndarë në përzgjedhjen e tyre. Bankat janë të detyruara të hapin llogarinë bankare falas kur plotësohen të gjitha rregullat e përcaktuara në ligjin “Për Llogarinë e Pagesave me Shërbime Bazike”, në të kundërt do të përballen me gjoba nga 50-250 mijë lekë./ abcnews.al