Lleshaj: Policia shqiptare mungesë specialistësh

schedule14:41 - 21 Dhjetor, 2018

schedule 14:41 - 21 Dhjetor, 2018

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pranon së për të plotësuar mungesat e radhëve të policisë me specialistë do të duhen të paktën 5 vite, pasi mungojnë ekspertë të krimit Ekonomik, Kibernetik si edhe ato të Lëndëve Plasëse. Numri një i Ministrisë së Brendshme komentoi edhe dëbimin e dy diplomatëve iranianë nga vendi ynë, si edhe për protestën e studentëve.

Mungesa e 315 Komisarëve në Policinë e Shtetit ka krijuar një deficit në punën e punonjësve të uniformave blu përballë krimit të organizuar në vend. I ftuar në emisionin “Real Story”, ministri i Brendshëm theksoi se duhen ndërmarrë masa të menjëhershme për të ulur këtë hendek, pasi shumë sektorë të policisë nuk kanë specialistët përkatës.

Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm: “Numri i punonjësve që kanë një background profesional të dedikuar fushës nga ekonomia, financa, informatika, jurisprudenca dhe elektronika është pothuajse simbolik dhe sot në kushtet e një krimi të sofistikuar, i cili sot më shumë se çfarëdo është krimi ekonomik është krimi financiar, është krimi kibernetik. Ne nuk mund t’i adresohemi këtij krimi duke përdorur instrumente të papërshtatshme. 315 nënkomisarë mangët, rreth 25% në total mangët. Një mungesë edhe më dramatike në specialitete.”

Numri një i Ministrisë së Brendshme, foli edhe dëbimin e dy diplomatëve iranianë nga vendi ynë, por nuk shpjegoi arsyet e largimit pasi çështja është në hetim.

Sandër Lleshaj: “Pjesë e problematikës midis rezistencës iraniane dhe qeverisë se Iranit të spostohet në Shqipëri. Janë shtuar dhe risqe të caktuara që tensioni midis dy palëve të transferohet në një farë mënyrë këtu me qëllim që ky rrezik të mos ekzistojë më në Shqipëri pra që ky konflikt ndëriranian të mos jetë një konflikt i mbartur dhe në Shqipëri, qeveria shqiptare ka marrë vendimin me të cilin publiku i gjërë është njohur. Patjetër që ka patur përpjekje serioze të cilat nuk kanë funksionuar falë reagimit parandalues që kanë patur strukturat tona në bashkëpunim me partnerët tanë.”

Lidhur me protestën e studentëve, Lleshaj pohoi se kërkesat e tyre janë të qarta dhe të mirëartikuluara, ndërsa përjashtoi mundësinë e procedimit penal ndaj të rinjve nga policia.

Sandër Lleshaj: “Ne nuk kemi mbledhur informacione për protestën e studentëv, nuk hetojmë, kështu që nuk kam informacione se çfarë ndodh atje. Nuk janë objekt për të zhvilluar veprimtari informuese mbi to. Për ne ajo është protestë studentësh për çështje të qarta të mirëartikuluara dhe të mirëmbrojtura prej tyre. Nuk kemi evidencë që të na çojë në përfundime të tjera të përfshirjes.”

Sipas Lleshaj, policia shqiptare ishte e vetme nga partnerët ballkanik që dha informacionin e saktë se nga cila pikë e Kalimit Kufitar doli nga vendi ynë ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!