Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj paralajmëroi kryebashkiakët e tjerë se do të kenë fatin e largimit të Zef Hilës nëse sulmojnë KZAZ-t ose pengojnë procesin zgjedhor. Vendimi vjen një ditë pas djegies së materialeve zgjedhore në KZAZ nr 6 në Vau Dejës.
Të njëjtin paralajmërim bëri më herët edhe minstri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë koferencës për shtyp, duke shtuar se fatin e Zef Hilës do ta këtë çdo kryebashkiak që sulmon KAZA-t ose pengon procesin zgjedhor.
“Të njëjtin fat do të ketë cilido, që autoritetin e Kryebashkiakut do ta përdorë për të penguar zgjedhjet, duke i kthyer apo lejuar punonjësit e Bashkisë të sillen si forca të dhunshme paramilitare. U bëj thirrje gjithë drejtuesve të bashkive, që të marrin masa për të ushtruar me përgjegjësi të lartë shtetërore detyrën e tyre, për të garantuar kushtet optimale për qytetarët e tyre që të mund të ushtrojnë të drejtën për të zgjedhur. Të mos merren me veprimtari penguese dhe me bravat e dyerve të shkollave të përcaktuara tashmë si Qendra Votimi, sepse kështu bëhen jo vetëm qesharakë, por edhe subjekt i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”.
Sjellje kriminale i ka quajtur Lleshaj sulmin e opozitës në drejtim KAZA. Nr.6., në Bushat.
“Zjarri i mbrëmshëm, djegia e materialeve zgjedhore dhe plagosja e tre punonjësve të Policisë së Shtetit, nga një grup sulmi, i përbërë kryesisht nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës është një shprehje shembullore e paramilitarizimit të një partie, që ka humbur jo vetëm arsyen, por tashme edhe pseudo-kauzën e saj. Aq sa i ulët ishte sulmi ndaj shkollës, ku është vendosur KZAZ, po aq e neveritshme ishte tentativa e drejtuesve të opozitës për të larë duart nga aksioni kriminal i militantëve të tyre, duke u përpjekur si gjithmonë, që nga nxitës të agresionit të kthehen në viktima të tij!”
Goditja dhe djegia e materialeve zgjedhore ka rikthyer në skenë ngjarjet e ndodhura 100 vite më parë.
“Aq sa i ulët ishte sulmi ndaj shkollës, ku është vendosur KZAZ, po aq e neveritshme ishte tentativa e drejtuesve të opozitës për të larë duart nga aksioni kriminal i militantëve të tyre, duke u përpjekur si gjithmonë, që nga nxitës të agresionit të kthehen në viktima të tij!Në mënyrë sa të paturpshme aq edhe qesharake, ata akuzuan Policinë se paska sulmuar dhe plagosur veten, nën drejtimin e Ministrit të Brendshëm dhe të Kryeministrit. Pra, sipas këtyre ‘haxhiqamilistëve’ të rikthyer në skenë pas 100 vitesh, punonjësit e bashkisë së Vaut të Dejës dhe familjarët e kryetarit të saj, paskan zbatuar urdhrat tona për dhunë”.
I sigurt, Lleshaj kujtoi se zgjedhjet do të mbahen në të gjithë vendin, në pajtim të plotë me Kushtetutën, me Kodin Zgjedhor.
“30 qershori është data e zgjedhjeve dhe zgjedhjet janë të popullit shqiptar, as të partive, as të bashkive! Faleminderit”./ABC News Albania 24/7