Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook për operacionin e shkatërrimit të një grupi të madh kultivuesish dhe trafikantësh të lëndëve narkotike.
Lleshaj vlerësoi operacionin, por në mesazh nuk ka lënë pa iu referuar thënies së tij të bujshme se “çdo polic është fytyra e ministrit të Brendshëm” duke bërë një ndryshim kësaj radhe.
Kështu, ndryshe nga më parë, Lleshaj shprehet tani se policia nuk është vetëm imazh i drejtuesve të saj, por edhe e shoqërisë.
“Policia është jo vetëm imazhi i drejtuesve të saj, por edhe i vetë shoqërisë. Si e tillë ajo duhet dhe do të jetë larg kujtdo që nuk i shërben me nder dhe angazhim interesit publik”, shkruan Lleshaj disa ditë pas dhunës së policisë ndaj protestuesve kundër shembjes së teatrit.
Postimi i Lleshajt:
Policia e Shtetit, SHÇBA dhe Prokuroria finalizuan sot një operacion të rëndësishëm, në sajë të të cilit, krahas të tjerëve, u arrestuan edhe dy punonjës policie për përfshirje në veprimtari kriminale.
Procesi i ndarjes së Policisë nga ata që nuk e meritojnë nderin e të shërbyerit në radhët e saj do të vijojë me rigorozitet të plotë.
Policia është jo vetëm imazhi i drejtuesve të saj, por edhe i vetë shoqërisë. Si e tillë ajo duhet dhe do të jetë larg kujtdo që nuk i shërben me nder dhe angazhim interesit publik.
Përgëzime për këtë operacion të suksesshëm për Policinë, SHÇBA dhe Prokurorinë! ?? /abcnews.al

