Lleshaj: Krimet në Dibër kanë rënë, njerëzit me mend nuk përdorin dhunën! Po kapim “të harruarit”

schedule17:56 - 10 Shtator, 2020

schedule 17:56 - 10 Shtator, 2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka prezantuar strukturën Shqiponja në Dibër, duke deklaruar se ajo do të shërbejë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Lleshaj deklaroi se deri më tani në këtë strukturë në të gjithë vendin janë rekrutuar 500 persona nga 2500 kandidatë, ndërsa theksoi se qeveria nuk i ka ndaluar investimet për sigurinë pavarësisht pandemisë së koronavirusit.

Megjithatë ai u shpreh se Dibra është një qytet me kriminalitet të ulët, duke e shpjeguar këtë me faktin se sipas tij, është një qytet që përdor mendjen dhe jo armën.

“Fakti që nuk ka krime të rënda të bën të ndihesh mirë. Dibra ndihet si vend i mendjes dhe aty ku është mendja nuk është dhuna. Dhe fakti që nuk ka dhunë domethënë se këtu ka mend. Së pari falenderoj qytetarët. Ata kanë mundësuar që edhe institucionet të bëhen pjesë e këtij suksesi.

Ne jemi shumë të fokusuar për të investuar të siguria sepse çdo qindarkë e shpenzuar përkthehet nesër në më shumë kulturë. Ne kemi arritur që krahas shumë të tjerave, të investojmë edhe në polici. Vrasjet në Shqipëri janë përgjysmuar sepse kemi investuar për sigurinë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për ta vazhduar këtë punë. Sot jemi në momentet më të mira të historisë tonë. Të gjithë treguesit e kriminalitetit janë në ulje. Kjo nuk do të thotë se do bëjmë pushim tani. Por tani duhet të përmirësojmë parametrat.

Përshëndes qeverinë dhe Ramën që nuk ka nguruar në këto kohë shtrëngesash për vendin, të vijojë programet e mbështetjes për policinë e shtetit. Investimet shtohen sa më mirë të performoni. Shtesat në policinë e shtetit janë fokusuar në shtimin e numrit dhe strukturave të reja për të krijuar kapacitetet që na kanë munguar. Shqiponja është një strukturë që më parë nuk e kemi pasur. Në këtë strukturë në nivel kombëtar janë shtuar 500 veta.  E kemi bërë këtë për çdo hap që bëjmë përpara drejt zhvillimit”, tha ministri.

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/videos/649489215670487/

Leshaj solli në vëmendje krijimin e strukturës E, si dhe njësive të saj për luftën ndaj krimit ekonomik dhe kibernetik, duke theksuar se tashmë krimet nuk po bëhen vetëm fizikisht, por në rrugë teknologjike.

Ai tha se çdo ditë po kapen persona që mendonin se drejtësia i kishte harruar dhe vazhdonin jetën normalisht pavarësisht se kërkoheshin për krime të ndryshme.

“Janë krijuar strukturat për krimin ekonomik. Është krijuar struktura E e cila ka rekrutuar djem dhe vajza të reja që kanë mbaruar universitetin me rezultate të larta. Ngritja e kësaj njësie synon t’i vihet mbrapa atyre që janë jashtë vendit. Përditë ne kapim persona që e konsiderojnë veten të harruar. Mbrapa këtyre janë 100 policë të specializuar dhe rrjetet homologe të policive europiane që janë të angazhuar për të vënë drejtësi. Pa vënë para drejtësisë ata ne nuk e kemi mbyllur punën tonë.

Policia e kryen misionin e saj përmes inteligjencës. Ndaj kemi krijuar këtë njësi që ka për mision të mbledhë informacion në mënyrë që të mundësojnë përmbushjen e misionit me sa më pak shpenzime. Ne nuk mund ta mbushim vendin me policë.

Ne duhet të futemi qartazi dhe të jemi prezent edhe në hapësirën virtuale. Kjo njësi do të ketë për detyrë të ballafaqohet me krimin në këto hapësira. Ka një nivel sofistikimi të lartë. Sot krimi kryhet në mënyrë tjetër. Krimi po i vë në shërbim të vet këto teknologji.

OFL ka për detyrë të luftojë pasuritë kriminale. Shumë kriminelë kanë përfunduar prapa hekurave. Por pasuritë e tyre jo gjithmonë janë konfiskuar.

Janë disa qindra prona të mëdha që janë çuar përpara drejtësisë dhe jo shumë vonë prej tani priten edhe vendimet përkatëse në sistemin e drejtësisë. Për t’i thënë publikut që veprimtaria kriminale luftohet deri në fund”, tha Lleshaj./m.v. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!