Lleshaj fton studentët me mesatare mbi 8 që të bëhen pjesë e policisë

schedule15:20 - 26 Gusht, 2019

schedule 15:20 - 26 Gusht, 2019

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, me anë të një postimi në Twitter u bën thirrje të gjithë studentëve, që kanë përfunduar me rezultate të larta universitetin, të regjistrohen për t’u bërë pjesë e strukturave të hetimit në Policinë e Shtetit.

Ministri i Brendshëm vendos theksin tek motivimi i studentëve për të kryer shërbime publike me nder dhe vendosmëri të lartë. Lleshaj shkruan se “15 Shtatori po afron dhe se të gjithë studentët që kanë një diplomë me notë mesatare mbi 8, nivel të  lartë të gjuhës angleze dhe kondicion fizik të mirë duhet që të nxitojnë që të regjistrohen”.

Më tej ministri shprehet se: “Juristë, informaticienë, financierë, ekonomiste dhe inxhinierë të elektronikës kanë mundësinë e rrallë që pas përfundimit të Kursit të Oficerit të Policisë Kriminale prej 6 muajsh të përfshihen në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke kontribuar kështu në një ndër frontet më të rëndësishëm për një Shqipëri të drejtë dhe europiane. Policia Shqiptare ka nevojë për vajzat dhe djemtë më të mirë të vendit”. /ABC News Albania 24/7