Llalla, rekurs në Gjykatën e Lartë për lirimin e pasurisë së sekuestruar

schedule11:04 - 24 Gusht, 2018

schedule 11:04 - 24 Gusht, 2018

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kërkon lirimin e pasurive të sekuestruara të tij në Gjykatën e Lartë. “ABC News” ka mësuar detaje të reja të dosjes, mes të cilave edhe dyshimet e ngritura për Llallën për një shifër prej 62 mijë euro.

Çështja e sekuestrimit të disa pasurive të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, zhvendoset në Gjykatën e Lartë. Ish-kryeprokurori i ka bërë rekurs vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda, që la të pandryshuar vendimin e Shkallës së Parë të 23 korrikut 2018 për ngrirjen e disa pasurie të tij.

Rekursi i Llallës është depozituar formalisht pak ditë më parë, brenda afatit të parashikuar ligjor. Ndërkohë, Apeli i Krimeve të Rënda ende nuk ka zbardhur arsyetimin e vendimit të shpallur në javën e parë të gushtit në lidhje me pasuritë e sekuestruara të Llallës, që shkojnë në vlerën e gati 1 milion eurove.

Ish-kryeprokurori Llalla po hetohet nga krimet e rënda për kryerjen e katër veprave penale, atë të “pastrimit të parave”, “fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë”, “mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi” dhe për “shpërdorim të detyrës”.

“ABC News” ka mësuar se një nga argumentet e  Prokurororisë kundër Llallës në përballjen për pasurinë në Apelin e Krimeve të Rënda ka qenë një shumë prej 62 mijë euro, të cilat ishin shpenzimet për shkollimin e një prej fëmijëve të tij në Gjermani. Sipas prokurorisë, kjo shifër është transportuar në cash dhe jo përmes bankave, apo shoqërive të transfertave monetare. Në ankimin e tij ish-kryeprokurori pretendonte se nuk kishte asgjë të jashtëligjshme, pasi paratë janë kaluar në kufi në sasi brenda limiteve të lejuara nga ligji.

Aktualisht Llalla nuk është më pjesë e sistemit të drejtësisë. Pas përfundimit të mandatit ai dha dorëheqje nga statusi i magjistratit, ç’ka u bë shkak edhe për ndërprerjen e procesit të Vettingut ndaj tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!