Arsenal vendosi të shkarkonte Unai Emery nga roli i trajnerit dhe postin e spanjollit e ka marrë Freddie Ljungberg, ndihmësi i tij. Suedezi është një emër i njohur dhe e njeh shumë mirë klubin.
42-vjeçari u aktivizua për 9 sezone me Arsenalin dhe ishte një nga lojtarët kyç të skuadrës fantastike që kishte krijuar Arsene Wenger në vitet 2000. Nordiku është zgjedhur trajneri i përkohshëm i klubit londinez dhe do bëjë maksimumin për të rikthyer ekipin te rezultatet pozitive.
“Sado që të zgjasë aventura ime këtu, do të jap gjithçka që të kthej buzëqeshjen në fytyrat e të gjithë tifozëve. Na presin javë të ngarkuara përpara dhe skuadra ka nevojë për mbështetjen tuaj. Le t’i përvishemi punës“, shkruan trajneri në rrjetet sociale. /abcnews.al

