Liverpuli tremb gjigandët e Europës

schedule17:59 - 15 Shkurt, 2018

schedule 17:59 - 15 Shkurt, 2018

Liverpuli është skuadra tjetër angleze, që tronditi Europën në Ligën e Kampionëve. Trajneri Jurgen Klop është shumë i lumtur pas suksesit 5-0 në fushën e Portos.

Nuk ka asnjë dyshim, janë ajka e Europës.

Përveç të tillëve si Reali, Barcelona apo Bajerni, në majë të Championsit dhe të Kupës së vjetër të Kampionëve është edhe Liverpuli.
Një histori me pesë trofe të mëdhenj i bëjnë të kuqtë anglezë, për forcë zakoni që të jenë pretendentë kurdoherë.

Aq më shumë sivjet, kur në fushë kanë treshen e mrekullive, të përbërë nga Sadio Mane, Mohamed Salah e Roberto Firmino dhe kur në stol është trajneri krejt i veçantë, Jurgen Klop.

Fitorja 5-0 në fushën e Portos ia siguroi praktikisht Liverpulit kalimin për në çerekfinale, ndërsa një tjetër skuadër angleze tremb kontinentin, pas Mançester Sitit e Totenhemit.

Ishte e pritshme që liverpulasit të fitonin, por jo kaq thellësisht.

A mund të thuhet se kjo ishte ndeshja perfekte?

Jurgen Klop: “Po, ju mund ta thoni këtë, natyrisht. Ishte një paraqitje e nivelit shumë të lartë, me shumë pjekuri dhe në momentet e duhura me shumë agresivitet. Ne u mbrojtjëm mirë, ne kundërsulmuam mirë. Po ashtu, ne e qarkulluam topin ashtu siç deshëm, diçka që nuk është e lehtë në Champions. Jam i lumtur për djemtë, jam i lumtur për sulmuesit tanë, Sane, Firmino dhe Salah”.

Trajneri gjerman njihet si i shakasë dhe u përgjigj kështu kur u pyet nëse lojtarët e tij mund të festonin pas fitores.

Jurgen Klop: “Nëse e keni fjalën për alkoolin, ata asnjëherë nuk pijnë. Këta janë brez tjetër, ndonëse një birrë mund ta pijë gjithkush, mund ta pi edhe unë me ta, nuk ka kuptim t’ia ndalosh. Mendoj se ata mund të pushojnë pak më gjatë me familjet e tyre, por pushimi nuk do të jetë shumë i gjatë, pasi kemi shumë objektiva këtë sezon”.

I shkëlqyer Sadio Mane, shënuesi i tre golave.

Sadio Mane: “Është një kënaqësi e madhe që luajmë së bashku, unë Salah dhe Firmino. Gjithsesi, nuk është vetëm merita jonë që ne shënojmë shumë, pasi është e gjithë skuadra, që na e bën më të lehtë këtë gjë. Pa skuadrën ne nuk do të ishim në gjendje që t’ia dilnim. Ata na ndihmojnë dhe duke pasur këtë ndihmë ne mund të shënojmë gjatë gjithë kohës, pa u ndalur”.

Përpara sesa të shkëlqente në Portugali, Liverpuli dominoi fazën e grupeve ndaj Seviljes e Spartakut të Moskës duke shënuar 23 gola në 6 ndeshje.
Natyrisht, është shumë shpejt për të bërë parashikime, por kjo skuadër i ngjan shumë asaj të vitit 2005 të drejtuar nga Rafa Benitez dhe kapiteni Stiven Xherrard, kur fitoi Championsin për herë të fundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!