Liverpuli vazhdoi serinë e fitoreve në kampionatin anglez. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop triumfoi në një sfidë shumë të vështirë në fushën e Totenhemit.
Ende nuk mund të thuhet se është viti i duhur, por besimi po shtohet.
Liverpuli arriti fitoren e pestë radhazi, në pesë ndeshje të luajtura, në Premier Ligën angleze, madje një nga ato që vendosin sezonet.
Suksesi 2-1 në fushën e Totenhemit ishte një deklaratë e fortë për synimet për titull të skuadrës së drejtuar nga trajneri Jurgen Klop.
Në një sfidë të vështirësisë maksimale, ndër më të fortat që mund të ofrojë kampionati, miqtë ishin padyshim skuadra më e pjekur, dhe që e meritoi plotësisht triumfin.
Shënoi dy gola dhe pësoi vetëm një, ndërsa krijoi rastet më të mira në stadiumin mitik “Uembli”.
Vajnaldum dhe Firmino ishin ata që konkretizuan lojën agresive dhe tepër të shpejtë të të kuqve, që kaluan testin më serioz të Premier Ligës deri tani.
Liverpuli u tregua sërish si ekip me lojë të përcaktuar mirë, me mbrojtje të fortë, dhe që vepron rrufeshën në sulm, sapo merr topin në zotërim, ndihmuar nga lojtarë të veçantë si Salah, Firmino, Mane apo Keita.
Gjithsesi, ky ishte vetëm fillimi i periudhës shumë të vështirë për të besuarit e Klopit, të cilët do të luajnë ndeshje shumë të vështira në kampionat dhe në Champions, duke pasur përballë kundërshtarë të tillë si Napolin, Mançester Sitin apo dy herë Çelsin.
Sidoqoftë, me 15 pikë të plota dhe me golaverazhin domethënës 11-2, Liverpuli i ka të gjitha kartat në rregull për të pretenduar fitimin e titullit pas 29 vitesh. /abcnews.al