“Shqipëria fiton”, Basha: Programi ekonomik do t’i shërbejë shqiptarëve, mbaroi koha e matrapazëve

schedule12:11 - 28 Janar, 2021

schedule 12:11 - 28 Janar, 2021

Lideri opozitës Lulzim Basha prezanton programin ekonomik të Partisë Demokratike.

Arsimi, shëndetësia, rritja e çmimeve, vështirësia ekonomike, pensionistët, korrupsioni, krimi dhe problematika të tjera janë çështje të ngritura si shqetësuese nga kryedemokrati Basha.

“Për muaj të tërë kemi punuar me ekspertët më të mirë dhe më ndihmën e institucioneve ndërkombëtare për t’i sjellë Shqipërisë një plan serioz zhvillimi. Këtë herë duam të sjellim një program punë, qeverisje që do t’i shërbejë shqiptarëve. Ky është një program që do ta çojë Shqipëria përpara pas fitores së 25 prillit.

Janë dëgjuar shumë premtime këto 8 vite. Nuk kam dalë sot të premtoj gjëra që nuk bëhen kurrë realitet. Planet tona nuk janë premtime, janë angazhime të padiskutueshme të miat si kryeministër dhe të ekipit tim përpara çdo shqiptari”, tha Basha.

Pjesë nga fjala e kreut të PD Lulzim Basha:

“Jam shumë i lumtur që sot jam para jush, për të filluar serinë e prezantimeve të vizionit tonë për Shqipërinë dhe shqiptarët, të programit tonë qeverisës SHQIPËRIA FITON.
Për muaj të tërë, së bashku kemi punuar me ekspertët më të mire të vendit, me ndihmë të jashtëzakonshme nga ekspertët më të mirë të ekonomisë, të financave, turizmit, të arsimit, të shëndetësisë, çështjeve sociale, por po kështu edhe me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare, partive tona simotra, instituteve dhe fondacioneve, nga Gjermania deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Britania e Madhe në Itali, në Greqi e kudo. Kemi punuar për t’i sjellë Shqipërisë një plan serioz zhvillimi, që do të rimëkëmbë dhe do ta gjallërojë ekonominë tonë dhe që do t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve.

I kemi kushtuar shumë kohë, themi muaj po në fakt po mbushen dy vite. Sepse këtë herë duam të sjellim para jush një program pune, një program qeverisjeje, një program të zbatueshëm që do t’u shërbejë shqiptarëve dhe Shqipërisë, dhe jo thjesht një partie politike apo një fushate elektorale.
Ky është një program që do ta çojë Shqipërinë përpara, menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit.

Megjithatë jam i vetëdijshëm se çfarë ju shkon ndërmend shumë prej jush dhe çfarë po ju kujtohet tani. Keni dëgjuar kaq shumë premtime këto tetë vite, jeni lodhur nga ata që ju premtojnë botën dhe nuk ju japin asgjë. Ndodhi me kryeministrin në ikje i cili premtoi qindra, mijëra vende pune, por në fakt me të dhe nën të, radhët e të papunëve u shtuan dhe mijërave të pamundurve për punë iu hoq edhe buka e gojës, ndihma sociale.

Premtoi të ulte koston e jetës për 97% të shqiptarëve, por me të kostoja e jetës për shqiptarët është rritur në shifra rekord. 40% gjatë viteve të sundimit të tij. Premtoi ta bënte më të fortë ekonominë tonë, por ekonomia jonë është në kolaps dhe krizë totale dhe është tërësisht e shkatërruar dhe e paaftë të përballet me sfidat e përditshme të shqiptarit. Premtoi ta bënte më të fortë ekonominë tonë, por ekonomia u shkatërrua dhe shqiptarët po e paguajnë ditë për ditë në xhepat e tavolinat e tyre të zbrazura. Kjo do të marrë fund.
Kjo kulturë e premtimeve pa doganë dhe pastaj braktisjes së tyre totale do të marrë fund. Ndaj nuk kam dalë sot para jush të premtoj gjëra që nuk bëhen kurrë realitet. Planet që po nisim të shpalosim sot dhe javët në vijim nuk janë premtime. Janë angazhime të padiskutueshme të miat si kryeministër dhe të ekipit tim përpara jush, përpara çdo shqiptari dhe si të tilla do të përmbushen.

Një kryeministër që nuk është i aftë t’i përmbushë angazhimet që merr përsipër duhet të largohet. Unë sot marr këtë barrë të përgjegjësisë para jush. Jo pas 8 vitesh por direkt në katër vitet e para sipas një plani të detajuar muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite. Ka ardhur koha për ndryshim. Ka ardhur koha ta ndryshojmë Shqipërinë. Ka ardhur koha ta largojmë këtë qeveri e të sjellim një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e saj.

Edhe unë sot nga kjo foltore mund t’ju premtoj 500 mijë vende pune, pagën minimale 500 euro, por ky do të ishte manipulim dhe unë nuk kam ndërmend të fitoj besimin tuaj me gënjeshtra. Koha e matrapazëve politikë që shesin shpresa boshe për të blerë pushtet për vete ka mbaruar.

I keni parë çfarë kanë bërë për ju dhe çfarë kanë rrëmbyer për vete, por para se të shpalos angazhimet e qeverisë së re, dua të flas për objektivat e planit tonë që do t’i arrijmë përmes këtij programi dhe kur them objektivat, e kam fjalën për objektivat e Shqipërisë. Objektiva nga të cilat do të përfitojmë të gjithë, të gjitha familjet tona. Dyfishimi i të ardhurave për frymë është objektivi ynë parësor, pasi kjo prek dhe përmirëson jetët e të gjithë shqiptarëve, të çdo familjeje, të çdo shtëpie, të çdo fëmije, prindi, gjyshi e gjysheje. Koalicioni ynë qeverisës angazhohet përmes programit tonë që shënjestron sektorë të caktuar të dyfishojmë të ardhurat për frymë.

Ne angazhohemi ta zhdukim varfërinë ekstreme. Nuk do të ketë më familje shqiptare që do të vuajnë për bukën e gojës, ujë dhe drita. Kjo plagë e tmerrshme është zmadhuar dhe dhëmbë sot më shumë se kurrë më parë”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se çdo familje do të përfitojë për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për pesë vitet e para të jetës.

“Ne do të mbështesim familjet shqiptare. Çdo familje do të përfitoj për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për pesë vitet e para të jetës. Çdo vit të qeverisjes time 5 mijë çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi I plotë I interesave të kredive për strehim, çka do të thotë për ju të sapomartuar apo të sapofejuar apo që doni të hidhni këtë hap në jetë por që nuk keni asnjë mundësi as ta çoni nëpër mend blerjen e një banese, se pas 25 prillit qeveria juaj do të paguaj 100% interesat bankare për çdo kredi që do të merrni për të blerë një apartament apo një banesë.

Në fund të mandatit tonë të pare, do të jenë 20 mijë çifte dhe familje të reja që do të kenë siguruar strehim përmes kësaj skeme të subvencionimit të interesave.

Ne do të japim një financim rekord nga buxheti i shtetit për fermerët dhe kjo është diçka unë kam pasur mundësinë ta diskutoj me ta nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Për herë të parë, me qeverinë e dal nga vota e 245 prillit fermeri shqiptar do të ketë të njëjtën mbështetje si fermerët e vendeve fqinje. 100 milionë euro mbështetje direkte, si dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale.

Fermerët janë zemra punëtore e Shqipërisë. Prodhimet e tyre duhet e do të jenë krenaria jonë. Ne do të zhvillojmë dhe investojmë në bujqësi, ushqim dhe blegtori që Shqipëria të përparojë me thithjen e teknologjive të avancuara. Këto janë vetëm disa nga objektivat kryesore të planit tonë të punës për Shqipërinë”, përfundoi Basha.

/abcnews.al/