Nuk qe e thënë që të fitonim. Edhe pse ishim 11 metra pranë sërish nuk ia dolëm në derbin e Ballkanit dhe në duelin direkt për kualifikim në Botëror, Serbinë.
Plot 20 427 tifozë mbështetën fuqishëm kombëtaren, e cila pati një provë të vështirë dhe me shumë emocione në “Arenën Air Albania”.
Serbia e nisi më mirë ndeshjen, duke ushtruar presion dhe provuar portën e Strakoshës, ndonëse pa rrezik.
Më pas, kuqezinjtë u përshtatën me njëri-tjetrin dhe nisën të qarkullonin më mirë topin.
Mitaj dha sinjalin e parë, ndërsa më i rrezikshmi siç pritej ishte Armando Broja.
Sulmuesi më i talentuar i Kombëtares shkaktoi panik në të djathtë, ku luajti në vend të Asanit, duke fituar goditje dënimi, e duke kërkuar tjetër faull pas një depërtimi spektakolar.
Gjithsesi, momenti kulmor e që ndoshta mund të kishte vendosur ndeshjen erdhi pikërisht në minutën e fundit.
Elseid Hysaj, në formë shumë të mirë deri në atë kohë, krijoi një aksion krejtësisht personal dhe fitoi penallti.
U prit që goditja të ishte e Asllanit, specialistit tek Interi që realizoi dy 11-metërsha radhazi në Serinë A, por goditjen e mori përsipër Manaj.
Sulmuesi goditi dobët dhe Petroviç grushtoi.
Ndeshja ishte vërtet e bukur, me ritëm dhe emocione, dhe kështu vazhdoi pas pushimit.
Broja krijoi direkt mundësi me të nisur pjesa e dytë, por Serbia u përgjigj.
Vlahoviç dhe Samarxhiç treguan klasin e tyre, duke rrezikuar, por për fat një herë na shpëtoi Strakosha, dhe herën e dytë fati.
Një moment delikat ishte brenda zonës në 58’ kur miqtë kërkuan penallti, por në të vërtetë nuk pati asgjë.
Gjithsesi, momenti më I mirë pas penalltisë ishte ai I Nedim Bajramit.
i futur në fushë bashkë me Dakun, lojtari ofensiv I Rejnxhërsit mori një pasim të mrekullueshëm pikërisht nga sulmuesi i Rubinit.
Megjithatë, gjuajtje më e dobët nuk mund të bëhej.
Kombëtarja luajti një ndeshje me mjaft karakter përballë një kundërshtari me potencial dhe talent më të madh.
Shqipëria ishte më afër fitores, pati rastet më të pastra, por fatin nuk e pati me vete.
Gjithsesi, pavarësisht masave të jashtëzakonshme të marra nga autoritetet, nuk munguan hedhjet e shisheve.
Plot tri herë u përsërit i njëjti veprim, madje në të tretin rast arbitri italian Davide Masa paralajmëroi ndërprerjen e ndeshjes. Barazimi 0-0 na i pakëson mundësitë për kualifikim, por gjithçka mbetet e hapur për të shkuar në Botëror.
Pjesa e dytë
92’- Bajrami gabon sërish. Futbollisti kuqezi nuk pason si duhet në zonë dhe i jep mundësinë serbëve për një kundërsulm.
90′– Akordohen 6 minuta shtesë për sfidën Shqipëri-Serbi.
85’- Julian Shehu largohet i dëmtuar dhe vendin e tij e merr Ylber Ramadani.
80’- Ndërhyrje e ashpër nga Mitrovic ndaj Hysajt, lojtari serb ndëshkohet me karton të verdhë.
79’- Vazhdojnë sulmet e Shqipërisë. Hysaj pason për Uzunin, i cili provon për Dakun, por largon Milenkovic në momentin e fundit.
74′- Largohet Broja, në garë Uzuni për golin e fitores. Te Serbia largohet Mitrovic për Jovic.
71’ – Bajrami vendos në vështirësi serbët duke tentuar në portën e tyre, por gjuajta e tij ishte shumë e dobët dhe shkoi në duart e portierit.
69’- Dy zëvendësime edhe te Serbia. Largohet Samardzic për Maksimovic. Stefan Mitrovic merr vendin e Terzic.
64’– Kanë vijuar thirrjet ndaj tifozëve ‘të pabindur’ kuqezi për të mos hedhur në fushën e blertë gota apo sende të ndryshme.
Për tifozët u bë apeli i fundit dhe nëse vijon mosbindja me hedhjen e objekteve, arbitri do të tërheqë lojtarët në dhomat e zhveshjes duke pezulluar ndeshjen.
62′– Zëvendësime në formacionin kuqezi. Fushën e blertë e lanë Rei Manaj për tu zëvendësuar nga Mirlind Daku dhe Nedim Bajrami.
59′-Serbët ‘ankohen’ për tifozët. Erakovic proteston te gjyqtari, po ndeshja vijon normalisht
53’– Terzic kërcënon portën kuqezi me një goditje me kokë, por Strakosha pret topin me një hedhje spektakolare.
48’- Rast i artë shënimi për Shqipërinë. Broja kercenon nga e djathta dhe futet në zonë. Pasimi i tij nuk shfrytëzohet si duhet.
Pjesa e parë
46′– Është mbyllur në barazim pa gola pjesa e parë e sfidës Shqipëri – Serbi. Rei Manaj humb shansin e artë në minutën e fundit, duke humbur penalltinë e fituar nga Elseid Hysaj. Topi i gjuatur nga kuqezinjt u prit nga portieri serb Petrovic.
45′ – Penallti për Shqipërinë, fituar nga lojtari Hysaj.
43’– Provon Arlind Ajeti me një gjuajtje me kokë, e cila nuk sjell asnjë rrezik për portën kundërshtare.
36’- Krosim i Hoxhës nga e djathta, për Manajn në zonë. Gjuajtja e sulmuesit me kokë shkon jashtë.
34’- Tentativë e Laçit nga jashtë zone, topi shkon në duart e Petrovic.
32’- Fitohet goditja e parë nga këndi nga lojtari Arbër Hoxha. Hoxha provon nga e majta, por topi devijohet në këndore.
30’- Shpërthim i Brojës nga krahu i djathtë. Dy ndërhyrje ndaj sulmuesit, i cili rrëzohet, por arbitri nuk akordon faull.
23’- Faull i fituar nga Kristjan Asllani në afërsi të zonës së Serbisë.
15′- Ndizet sfida në Air Albania, dy kartona në më pak se dy minuta
Ndizet sfida në Air Albania, dy kartona në më pak se dy minuta. Nga pala serbe ndëshkohet Pavloviç i cili ndalu Armando Brojën me faull, duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Ndërsa për kuqezinjtë ndëshkohet kapiteni Gjimshiti.
12′- “Mos penalizoni Kombëtaren, mos hidhni objekte në fushë”, vjen thirrja e parë në Air Albania
Pak minuta pas nisjes së ndeshjes në ‘Air Albania’ ka ardhur thirrja e parë ndaj tifozëve kuqezi të cilët kanë nisur të hedhin në fushë gota dhe sende të tjera.
Thirrja drejtuar tyre ishte “për të treguar veten tonë” dhe për të mos penalizuar Kombëtaren në këtë sfidë të madhe, që përpos peshës së historisë, mbart edhe rëndësinë e ëndrrës për të prekur Kampionatin Botëror me flamurin tonë./ abcnews.al