Rusët sulmojnë civilët, raketa vret dhjetëra persona, mes tyre 3 fëmijë

schedule16:17 - 14 Korrik, 2022

schedule 16:17 - 14 Korrik, 2022

Konflikti i armatosur mes Ukrainës dhe Rusisë ka hyrë në ditën e tij të 141-të duke lënë pas vetëm vdekje e shkatërrim. Megjithëse u konsiderua si një “operacion special” nga Rusia që do të zgjaste shumë pak, rezistenca ukrainase vijon të jetë e fortë dhe t’i shkaktojë dëme të mëdha ushtrisë pushtuese.

Një marrëveshje për të rifilluar eksportin e grurit ukrainas ka nisur me krijimin e një qendre koordinimi dhe monitorimi në Stamboll. Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, tha se Ankaraja do të sigurojë sigurinë e dërgesave në tranzit dhe palët do të kontrollojnë bashkërisht ngarkesat e grurit në porte pasi zyrtarët nga Ukraina, Rusia, Kombet e Bashkuara dhe Turqia u takuan për bisedime në Stamboll të mërkurën.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka përjashtuar mundësinë e dhënies së territorit Rusisë si pjesë e çdo marrëveshjeje armëpushimi. Në një konferencë, Kuleba tha se nuk po zhvillohen bisedime paqeje midis Moskës dhe Kievit “për shkak të pozicionit të Rusisë dhe agresionit të saj të vazhdueshëm kundër vendit tonë”.

 Rusia ka larguar me forcë afro 2 milionë njerëz nga Ukraina, duke përfshirë disa qindra mijëra fëmijë, që nga pushtimi i vendit, tha presidenti Volodymyr Zelensky.

Koreja e Veriut ka njohur zyrtarisht Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut dhe Republikën e vetëshpallur Popullore të Luhanskut, territoret e pushtuara pro-ruse në lindje të Ukrainës. Republika Popullore Demokratike e Koresë (DPRK) bëhet vetëm shteti i tretë anëtar i OKB-së që i njeh ato si autoritete legjitime, pas Rusisë dhe Sirisë. Në përgjigje, ministria e jashtme e Ukrainës njoftoi se ka ndërprerë lidhjet me Korenë e Veriut.

-Të paktën 20 persona janë vrarë përfshirë 2 fëmijë  dhe 50 janë plagosur pas sulmeve me raketa ruse në Vinnytsia mëngjesin e të enjtes, në një nga sulmet më të mëdha që nga fillimi i luftës.

Por çfarë ka ndodhur deri më tani?

16:17- Rritet numri i viktimave nga sulmi rus në Vinnytsia, dhjetëra njerëz në dyert e spitaleve

Numri i personave të vrarë si rezultat i një sulmi raketor rus në qytetin Vinnytsia është rritur në 21. Më shumë se 50 persona janë shtruar në spital.

Serhiy Borzov, Shefi i Administratës Ushtarake Rajonale të Vinnytsia, bëri me dije se mes të vrarëve kishte edhe fëmijë.

“Aktualisht, 21 persona, duke përfshirë tre fëmijë, kanë vdekur si pasojë e një sulmi me raketa në qytet. 90 persona kërkuan ndihmë nga institucionet mjekësore. 51 persona janë shtruar në spital. Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar”, tha ai.

Raketat goditën sheshin qendror në rrethin Zamostianskyi, ku kishte shumë njerëz në momentin e sulmit. Sipas autoriteteve ukrainace, nuk kishte asnjë objekt ushtarak aty pranë.

15:34- Krimet e luftës ne Ukrainë, mbahet një minutë heshtjeje për viktimat në konferencën në Hagë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një minutë heshtjeje gjatë një konferencë për krimet e luftës në Hagë, Holandë, vetëm disa orë pasi forcat ruse sulmuan me raketa qytetin qendror të Ukrainës, Vinnytsia. shkruan CNN.

“Këtë mëngjes, raketat ruse goditën qytetin tonë të Vinnytsia – një qytet i zakonshëm dhe paqësor. Raketat Kalibr goditën dy ndërtesa civile; janë shkatërruar shtëpi, një qendër mjekësore, rreth 50 makina dhe tramvaje morën flakë. Ky është akti i terrorit rus Tetë raketa, dy prej tyre synonin qendrën e qytetit.

Njëzet njerëz vdiqën në këtë moment, tre fëmijë në mesin e tyre”, tha Zelensky në konferencë.

Në një deklaratë përmbyllëse, Zelensky iu referua takimit të prokurorëve dhe gjyqësorit në Hagë si një akt “shpëtimi” për të drejtën ndërkombëtare.

“Varet nga ju, nga unë, nëse ligji ndërkombëtar do të funksionojë apo jo”, tha Zelensky.

13:39- Shkon në 20 numri i të vrarëve në Vinnytsia, mes tyre dy fëmijë

Të paktën 20 persona janë vrarë përfshirë 2 fëmijë  dhe 50 janë plagosur pas sulmeve me raketa ruse në Vinnytsia mëngjesin e të enjtes.

Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i Presidencës së Ukrainës, e quajti sulmin “një krim tjetër të pushtuesve në qytetin tonë paqësor” në një mesazh në Telegram.

“Sulmi u krye me raketa “Kalibr” që janë lëshuar nga nëndetëset e vendosura në Detin e Zi”, shtoi Tymoshenko.

Vinnytsia nuk ka qenë epiqendra e  ndonjë sulmi të mëparshëm rus që nga  fillimi i pushtimit. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dënoi sulmet ajrore në një mesazh në Twitter.

13:10- Ukrainasit çojnë rusët në Hagë, nis konferenca për krimet e luftës

Prokurorja e lartë e Ukrainës dhe zyrtarë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Bashkimi Europian do të  takohen sot në Hagë për të diskutuar mbi hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë, shkruan CNN.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës Iryna Venediktova udhëtoi në qytetin holandez për të koordinuar ndarjen e provave, strategjinë e ndjekjes penale dhe kuadrin ligjor për sjelljen e kriminelëve të luftës para drejtësisë.

“Bota është pranë Ukrainës për të gjetur prova në mënyrë që Rusia të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë për mizoritë që forcat e saj kanë kryer në tokën tonë”, shkroi Venediktova në Twitter nga Haga.

Në një deklaratë përpara nisjes së konferencës, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet tha: “Sistemi kombëtar i drejtësisë i Ukrainës ka ndërmarrë tashmë hapa të rëndësishëm hetimi dhe gjykimi, të cilët ne po i monitorojmë.

Duke pasur parasysh gjerësinë e sfidave me të cilat po përballet, është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë të mbështesë rritjen e kapaciteteve për hetimet e Ukrainës për krimet e supozuara të luftës të kryera në territorin e saj, pavarësisht nga rrethanat.”

12:57- 12 të vrarë nga sulmi rus në Vinnytsia, Kuleba: Kriminelët do të mbajnë përgjegjësi për çdo lot të ukrainasve

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, është zotuar që kriminelët e luftës rusë të mbajnë përgjegjësi për çdo pikë gjaku dhe loti të ukrainasve, pas një sulmi që la të vdekur 12 persona në qytetin Vinnytsia në Ukrainën qendrore, shkruan The Guardian.

Sulmi në Vinnytsia ndodhi ndërsa prokurori i lartë i Ukrainës për krimet e luftës dhe autoritetet gjyqësore nga e gjithë Europa u mblodhën në Hagë për të koordinuar hetimet mbi mizoritë që nga pushtimi i Rusisë.

“Të paktën një fëmijë u vra, mes viktimave të tjera të një sulmi me raketa në Vinnytsia. Ne do të gjykojmë kriminelët rusë të luftës për çdo pikë gjaku dhe loti ukrainas,” tha Kuleba në një mesazh në Twitter.

12:47- Çfarë janë HIMARS, raketat që po ndryshojnë fatin e luftës në Ukrainë

“Depot e municioneve ruse janë ndoshta vendet më të pasigurta në çdo zonë lufte,” sipas një manuali të ushtrisë amerikane të botuar në vitin 2016.

“Municionet nuk po ruheshin në mënyrë të sigurt dhe shumë prej tyre datonin nga epoka sovjetike, afër datës së skadencës. Diçka e tillë do të shkaktojë një tendosje serioze të logjistikës në sistemin rus”, përfundoi ai.

Gjeneralët ukrainas tani po e vënë në provë këtë teori.

Më 11 korrik, një depo municionesh ruse në Nova Kakhovka në Ukrainën jugore shpërtheu në mënyrë spektakolare. Imazhet satelitore treguan se i gjithë objekti u zhduk brenda natës. Mendohet se është “viktima” e fundit e Sistemit të Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (himars), -armë të cilat  Amerika filloi t’i dërgonte në Ukrainë në fund të qershorit.

Lexo KËTU të gjithë lajmin

11:12- 50 të plagosur dhe 12 të vrarë, mes tyre edhe një fëmijë, Zelensky dënon sulmin rus me raketa: Akt terrorizmi

Forcat ruse kanë goditur me raketa Vinnytsia të enjten në mëngjes, duke vrarë të paktën 12 civilë dhe duke plagosur 50 të tjerë, sipas një deklaratë të policisë shkruan The Guardian.

“Ka të vdekur dhe të plagosur,” shkroi Serhiy Borzov, guvernator i rajonit Vinnytsia, në një mesazh të postuar në Telegram.

Sipas informacioneve deri më tani 12 persona kanë humbur jetën, 50 janë plagosur dhe rreth 50 automjete kanë marrë flakë. Ndërkohë për sulmin në Vinnytsia ka reaguar edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Forcat ruse kanë sulmuar me raketa qendrën e qytetit. Ka të plagosur dhe viktima, mes tyre një fëmijë. Çdo ditë, Rusia po shënjestron popullsinë civile, po vret fëmijë ukrainas, dhe po shenjestron me raketa objektivat civile. Çfarë është kjo, nëse jo një akt i hapur terrorizmi?

Një vend vrasës. Një vend terrorist,” tha Zelensky.

09:38- Kryeministri çek: Paketa e 7-të e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë nuk do të përfshijë gazin

Kryeministri çek Petr Fiala tha se Bashkimi Europian nuk do të përfshijë gazin rus në paketën e shtatë të sanksioneve kundër Moskës për luftën në Ukrainë, sipas Reuters.

Sipas kryeministrit çek, BE-ja nuk do të reduktojë më tej importet e gazit nga Rusia pasi shumë vendeve anëtare iu duhet kohë për tu përshtatur më këtë ndryshim të ri. Komisioni Europian duhet të jetë gati të paraqesë paketën e shtatë të sanksioneve kundër Moskës në ditët në vijim, shtoi Fiala.

“Një paketë e shtatë është duke u përgatitur dhe unë mendoj se është një kurs i mirë. Ajo që është padyshim problematike është përfshirja e energjisë në sanksione, sepse duhet respektuar një rregull që sanksionet duhet të kenë një ndikim më të madh në Rusi sesa në vendet që kanë miratuar sanksionet”, tha Fiala.

09:20- Rajonet e Ukrainës të pushtuara nga Rusia rrezikojnë të kthehen në vatra infeksioni dhe epidemish

Rreth 20% e Ukrainës është aktualisht nën pushtimin e forcave ruse. Përveç çështjeve urgjente ushtarake dhe të të drejtave të njeriut, pushtimi i vazhdueshëm i Rusisë ka prodhuar gjithashtu një sërë sfidash të shëndetit publik që kërkojnë vëmendje urgjente ndërkombëtare.

Një nga problemet kryesore me të cilat përballen autoritetet ukrainase është mungesa e aksesit në informacion. Fatkeqësisht, Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës nuk ka më një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës në rajonet e pushtuara të vendit. Kjo e bën të vështirë marrjen e njohurive dhe vlerësimin e shkallës së problemeve të kujdesit shëndetësor në zonat që janë tashmë nën kontrollin rus.

Megjithatë, vlerësimet e provave të disponueshme dhe ndërgjegjësimi për situatën e përgjithshme në Ukrainën e pushtuar nga Rusia mund të ndihmojë në identifikimin e prioriteteve kryesore për profesionistët e kujdesit shëndetësor ukrainas dhe ndërkombëtarë.

07:46- Bombat përfunduan në det, Rusia bëri një tjetër përpjekje për të sulmuar Ishullin e Gjarpërinjve

Rusia raportohet të ketë bërë një tjetër përpjekje për të bombarduar ishullin e gjarpërinjve gjatë natës. Lajmin e bënë të ditur zyrtarët ushtarakë.

Një përditësim nga komanda operacionale e Ukrainës në jug raporton më 13 korrik se dy avionë luftarakë rusë u përpoqën të godasin ishullin strategjik në Detin e Zi, por dështuan pasi bombat ranë në det.

Këshilltari presidencial ukrainas, Anton Herashchenko, shtoi: “Një palë luftarakë Su-27 u përpoqën të bombardojnë ishullin e gjarpërinjve, bombat ranë në det, afër ishullit”. 

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!