LESKOVAC- Serbia dhe Shqipëria do të luajnë të shtunën ndeshjen kyçe për kualifikueset e Botërorit 2026, në stadiumin “Duboçica” të Leskovacit.
Trajneri i kuqezinjve Sylvinho dhe mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj mbajtën një konferencë për mediat, ndërsa thanë se objektivi kryesor mbeten tre pikët.
Për Elseid Hysaj, ndeshja me Serbinë është si finale dhe të gjithë lojtarët duhet të japin maksimumin e tyre.
“Për mua emocionalisht është e njëjta gjë, sepse po e përjetoj këtë ndeshje shumë emocionalisht e cila është një ndeshje e vështirë dhe e bukur për ta luajtur dhe mezi po pres që të jemi në fushë nesër. Objektivi ynë është fitorja. Të gjithë të japim 100% në fushë. Ne kemi ardhur këtu për fitore, as për barazim dhe as për humbje. Duhet të jemi në 120% tonë, sepse është një ndeshje e fortë dhe një finale për ne dhe për ata”, tha Hysaj.
Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho theksoi se sfida me Serbinë është vendimtare.
“Jam shumë dakord që nesër kemi një ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Më e rëndësishmja më duhet ta them është se sfida me Serbinë është vendimtare”, u shpreh ai, duke shtuar: “Janë ndeshje të ndryshme, siç e pamë edhe në Tiranë. Besoj se do jetë ndeshje e bukur”, tha ai.

