LIVE/ Misteri i tritolit poshtë “Range Rover-it” të drejtoreshës në Shkodër, flet Suida Kuka: Nuk kam konflikte

schedule11:27 - 29 Qershor, 2022

schedule 11:27 - 29 Qershor, 2022

Suida Kuka është vetëm 28 vjeçe, drejtore e Operatorit te Kujdesit Shëndetësor Shkodër , por dje iu desh të njoftonte policinë pasi poshtë makinës së saj tip “Range Rover” i ishte vendosur një bombë e sofistikuar me telekomandë.

Duket një “shpenzim” i madh nga financuesit e këtij atentati të mbetur në tentativë për një 28-vjeçare, e cila sapo ka nisur jetën dhe karrierën ku gjasat që të ketë bërë “flamuj të kuq” gjatë këtij rrugëtimi ende të shkurtër janë të pakta.

Pas njoftimit, policia e ka konstatuar eksplozivin poshtë makinës, të mbështjellë me një qese kroasanti, ndërsa më pas u bë një shpërthim i telekomanduar nga ekspertët e RENEA-s.

12:24- Pse u penduan? Karamuço: Atentatin ndaj drejtoreshës në Shkodër e parandaluan ata që e planifikuan

Ngjarja e ditës së djeshme në Shkodër, ku Suida Kukës u tentua t’i bëhej atentat me tritol u parandalua nga ata që e planifikuan. Kështu ka deklaruar eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ndërsa dje në mjetin “Range Rover” të drejtoreshës së Operatorit të Kujdesit Shëndetësor Shkodër u gjet një sasi eksplozive dhe kjo e fundit njoftoi policinë.

Në studion e ABC Live, Karamuço duke iu referuar burimeve nga hetimi tha se ngjarja është parandaluar nga vetë autorët, për arsye që ende nuk dihen. Duket se ka pasur një pendesë në moment të fundit dhe Kuka ka marrë një telefonatë, ku i është thënë për tritolin e vendosur poshtë mjetit të saj.

“Ngjarjen e parandaluan ata që e kishin planifikuar. Dje kam marrë në telefon drejtues të policisë. Kam pyetur nëse ka qenë një çantë e hedhur bosh, eksploziv me fitil apo telekomandë. Më është konfirmuar se ka qenë me telekomandë.

Në momentin e fundit dikush, a një grup i caktuar njerëzish kanë ndërruar mendje dhe atëherë është bërë një telefonatë duke i thënë se e ke poshtë makinës dhe ajo ka njoftuar policinë, ku janë marrë masat.

Para dy javësh, kemi diskutuar që krimi i organizuar ka ngritur dorë kundër shtetit. U provua me policët. Tani vijmë edhe në disa sektorë të tjerë siç është ky i shëndetësisë”, theksoi Karamuço.

11:05 – Gjobë e papaguar apo ndonjë “flamur i kuq”? Mister tritoli ndaj Suida Kukës. Roli i grupeve kriminale të Shkodrës

Gazetari Simon Shkreli bën me dije për abcnews.al se Suida Kuka ka deklaruar në polici se nuk kishte konflikt me askënd.

Policia nuk e ka ende të qartë se kush mund të ketë dashur ta eliminojë të renë apo nëse ka qenë thjesht një mesazh ndaj dikujt tjetër. Burime bëjnë me dije se deri më tani, policia është duke verifikuar vendimet e Kukës gjatë detyrës së saj si drejtore e Operatorit te Kujdesit Shëndetësor Shkodër për të zbuluar nëse gjatë kësaj periudhe ka qenë apo jo dikush i prekur prej kësaj veprimtarie që mund të çojë deri në vendosjen e një bombe poshtë makinës.

Po ashtu, një pistë tjetër është dhe ajo e ndonjë gjobe të papaguar. Mësohet se babai i saj është biznesmen dhe policia dyshon se ndonjë prej grupeve kriminale të Shkodrës t’i ketë vënë gjobë të atit të saj dhe pasi ai nuk e ka paguar, ta kenë paralajmëruar përmes së bijës.

08:37 – I vendosën tritol poshtë “Range Rover-it”, flet Suida Kuka: Nuk kam konflikte me askënd

“Nuk kam asnjë konflikt me askënd” ka qenë kjo deklarata e Suida Kukës, drejtoreshes së Operatorit te Kujdesit Shëndetësor Shkodër, e cila dyshohet të ketë qenë shënjestra e një atentati me tritol.

Nga sa mësohet lënda plasëse e cila ishte e vendosur poshtë automjetit të Suida Kuka ka qenë e mbështjellë me një pako të kroasantëve, dhe sipas grupit hetimor kishte të integruar edhe pajisjen e telekomandimit të shpërthimit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!