Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

LIVE/ Maratona zgjedhore në Kosovë, pjesëmarrja në Prishtinë 22.5 për qind

schedule09:51 - 28 Dhjetor, 2025

schedule 09:51 - 28 Dhjetor, 2025

Kosova mban këtë të diel zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas një viti pa qeveri. Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare në vend këtë vit dhe të katërtat në total, pasi vendi u përball me një krizë kushtetuese për shkak se asnjëra prej partive politike nuk arriti dot shumicën e nevojshme për të qeverisur vendin. Ndërkohë mbi 19 mijë qytetarë të Kosovës në 29 përfaqësi diplomatike në vende të ndryshme të botës votuan të shtunë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se për votimin me postë janë regjistruar mbi 77 mijë qytetarë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka zbuluar se për parlamentaret e vitit 2025 të drejtë vote kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 qytetarë.

Ora 14:00- Vijon procesi i votimit në Kosovë, Pjesëmarrja në Prishtinë 22.5 për qind

——————————————————————————————————————————————————

Ora 13:00- Mbi 300 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 13:00

Mbi 300 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 13:00 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 13:00 ishte 17.84%.

Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, Ranillugu prin me pjesëmarrjen më të lartë, 33.28%, ndërsa Leposaviqi ka pjesëmarrjen më të ulët, 1.57%.

Në kryeqytetin Prishtinë, deri në këtë orë votuan 21.51% e qytetarëve me të drejtë vote.

——————————————————————————————————————————————————

Ora 12:19- Presidentja Vjosa Osmani hedh votën në kutinë e votimit

E shoqëruar nga bashkëshorti, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e saj të votës në Prishtinë.

Ajo uroi që zgjedhjet të jenë të qeta, duke i cilësuar një proces shumë të rëndësishëm demokratik.

“Dua të falenderoj institucionet që janë angazhuar që ky proces të jetë sa më i rregullt, nga KQZ te institucionet e sigurisë. Menjëherë pasi të mbarojnë këto zgjedhje, jam e bindur se të gjitha partitë politiksa do të gjejnë një rrugë përpara për institucione të qëndrueshme dhe për të marrë vendime në të mirë të qytetarëve tanë”, tha Osmani.

—————————————————————————————————————————————————-

Ora 12:00- KQZ: Probleme me energjinë elektrike në disa qendra votimi

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se gjatë ditës së zgjedhjeve janë raportuar probleme me mungesë të energjisë elektrike në gjashtë qendra votimi në komunat: Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan.

Ai shtoi se komisionet komunale të zgjedhjeve i kanë njoftuar autoritetet përgjegjëse për këto probleme dhe se ato tashmë janë zgjidhur.

Radoniqi i bëri komentet në konferencën për media të orës 11:30, kur edhe njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 8.27 për qind.

“Nga të dhënat që kemi marrë nga rreth 94% të vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar është 165.404 votues apo 8.27%. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet në shkurt kishin votuar 169.650 votues”, tha Radoniqi.

Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në 15:30.

——————————————————————————————————————————————————-

0ra 11:20- KQZ: Pjesëmarrja  deri në orën 11:00 ishte 8.27 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 11:00 ishte 8.27 për qind

Komuna me pjesëmarrjen më të lartë është Ranillugu, ku kanë votuar mbi 16% e qytetarëve, ndërsa më e ulëta regjistrohet në Leposaviq – vetëm 0.08%.

Në kryeqytetin Prishtinë, deri më tani, votuan pak mbi 10% e qytetarëve.

—————————————————————————————————————————————————–

Ora 10:55- Abdixhiku: Të votohet për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, votoi rreth orës 10:45 në Prishtinë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

“Shpresojmë që procesi i votimit të shkojë mbarë e mirë, le të fitojë populli i Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.

——————————————————————————————————————————————————–

Ora 10:30- 2.64% pjesëmarrja deri tani, Mitrovica e Veriut me ‘rekord’

Deri në orën 10:00, pjesëmarrja në votime ka shkuar në 2.64%, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mes qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën për votë janë edhe kandidatët për kryeministër nga LVV-ja, PDK-ja dhe AAK-ja, të cilët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje.

Në Mitrovicën e Veriut, është vënë re pjesëmarrje më e lartë, fenomen në fakt i zakonshëm në këtë komunë me shumicë serbe.

———————————————————————————————————————————————————-

Ora 10:09 – Voton kandidati Bedri Hamza, fton qytetarët të votojnë sipas bindjeve të tyre

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, hodhi sot votën e tij për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës në Shkollën “Anton Zako Çajupi” në Mitrovicë.

Pas votimit, Hamza u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë sipas bindjeve, duke shtuar se do të bëj gjithçka që të ketë formim të institucioneve.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të votojnë sipas bindjeve, sipas vullnetit të tyre. Jam i bindur që sot do të jetë ditë e mbarë, dhe pres që gjithçka të shkojë mbarë. Deri tash nuk ka informacion se ka ndonjë problem dhe uroj që të mos ketë. Nuk është mirë me ndodh mungesa e energjisë elektrike. Dua të jem pozitiv dhe pres që gjithçka të shkojë mirë. Do ta bëj maksimumin që Kosova të ketë sa më shpejt institucione”, tha Hamza.

———————————————————————————————————————————————————–

09:53 – Kandidati për kryeministër Kurti voton, fton qytetarët për pjesëmarrje masive

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në qendrën e votimit në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Pas votimit, Kurti tha se kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe ftoi të gjithë qytetarët që të dalin e të votojnë, duke shpresuar se legjislatura e dhjetë do të konstituohet sa më shpejt, duke mundësuar edhe formimin e qeverisë së re.

“Posa votova këtu në Fakultetin Ekonomik në kryeqytet për legjislaturën e dhjetë të Kosovës. Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme. Ftoj të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre dhe ta shfrytëzojnë mundësinë për të përcaktuar përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Uroj dhe besoj se legjislatura e dhjetë do të konstituohet sa më shpejt Kuvendi i ardhshëm dhe njëkohësisht të formohet Qeveria e re. I falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë, për durimin, vëmendjen dhe angazhimin që kanë treguar. Po ashtu shpresoj se pjesëmarrja do të jetë masive, sepse pjesëmarrja masive reflektohet edhe në cilësinë e zgjedhjeve dhe në legjitimitetin e institucioneve”, tha Kurti.

—————————————————————————————————————————————————————-

Ora 09:18 – 2.56% e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e votës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i përditëson të dhënat lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në përditësimin e fundit, KQZ njofton se kanë votuan 51 mijë e 163 qytetarë.

Shprehur në përqindje deri tash të drejtën e shfrytëzuan 2.56% e qytetarëve.

—————————————————————————————————————————————————————–

Ora 09:06 – Ramush Haradinaj voton në Gllogjan

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur sot votën e tij për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.

Ndërkaq, nga ora 7 e mëngjesit janë hapur vendvotimet në qendrat zgjedhore në komunat e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë dhe janë hapur të gjitha qendrat e votimit, në të cilat tashmë ka nisur procesi i votimit.

——————————————————————————————————————————————————————

Ora 09:06 – Pjesëmarrja në votim 1.75 për qind

34 mijë e 985 qytetarë e kanë shfrytëzuar tashmë të drejtën e votës.

Kështu tregojnë të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të paraqitura deri më tani.

Pjesëmarrja e qytetarëve llogaritet të jetë 1.75 për qind.

——————————————————————————————————————————————————————

Ora 08:06 – KQZ: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në konferencën e parë për media për ditën e sotme, njoftoi se procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë.

“Materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë dhe, sipas informatave që kemi, procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në të gjithë Republikën e Kosovës,” tha Elezi.

Sipas të dhënave të KQZ-së, brenda vendit kanë të drejtë vote 1,999,204 qytetarë, ndërsa jashtë Kosovës mundësi për të votuar kanë 77,086 votues.

Procesi zgjedhor në territorin e Kosovës do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime.

——————————————————————————————————————————————————————

Ora 07:38 – Fluks votuesish në Ferizaj

Gjithçka ka nisur me kohë dhe deri më tani nuk është shënuar asnjë problem në qendrën më të madhe të votimit në Ferizaj.

Në këto momente të para të nisjes së procesit, vërehet një fluks më i madh i zgjedhësve për ta hedhur votuar.

———————————————————————————————————————————————————————-

Ora 07:35 – Gjilanasit nisin procesin e votimit

Qytetarët e Gjilanit i janë drejtuar kutive të votimit qysh nga ora 07:00 e mëngjesit.

Të gjitha procedurat janë ndjekur me kohë, ku janë mbi 100 e 4 mijë qytetarë me të drejtë vote në këtë qytet.

Kosova po voton sot në zgjedhjet e dyta parlamentare për këtë vit.

———————————————————————————————————————————————————————-

 Ora- 07:27 – Suhareka gati për të votuar 

Qyteti i Suharekës është gati për të votuar në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të cilat po mbahen sot.

Në qendrën më të madhe të votimit, në shkollën e mesme “Skënder Luarasi”,  mbi 7 mijë e 280 votues kanë të drejtë vote, dhe qyteti ka rreth 8 vendvotime.

———————————————————————————————————————————————————————–

Ora 07:07- Nis votimi në qendrën e votimit në Skenderaj

Një prej qendrave m ëtë mëdha të votimt është gati të mirëpres qytetarët me të drejtë vote. Kjo qëndër do të ketë mbi 6 mijë votues, ku gjatë ditës së djeshme ka arritur materiali josensitiv derisa ai sensitiv ka arritur sot.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!