Konferenca e dytë ndërqeveritare/ Rama në Luksemburg: Bashkimi Evropian dhe Evropa, janë i vetmi vend ku duam të jemi

schedule08:20 - 15 Tetor, 2024

schedule 08:20 - 15 Tetor, 2024

LUKSEMBURG- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur në Qendrën Europiane të Konventave për konferencën Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.

Në një prononcim për mediat, shefi i qeverisë shtoi se do punojë për integrimin e Shqipërisë në BE, brenda vitit 2030.

Kemi ambicie të përfundojmë para kohës që na është lënë. Do ta bëjmë gati Shqipërinë për integrimin në BE brenda vitit 2030“, tha Rama.

Më tej, kryeministri Rama tregoi arsyet e forta se pse Shqipëria synon të jetë pjesë e familjes europiane. Ai theksoi se Ballkani Perëndimor është i nevojshëm për të patur një Evropë të fortë.

Është mënyra më e mirë për të nisur ditën dhe pavarësisht motit gri të Luksemburgut, ndihemi vërtet shumë entuziast dhe mjaft të inkurajuar që më së fundi, nisim pjesën më të vështirë të punës, çka nënkupton çeljen e grupkapitujve të themeloreve me 5 kapituj më shumë, plus tre kritere, të cilat do të na bëjnë që të ecim më përpara dhe do të përmbyllim brenda afatit tonë mjaft ambicioz të gjithë këtë proces të negociatave dhe më së fundi do ta bëjmë Shqipërinë që të ulet si e barabartë rreth tryezës së shteteve anëtare të BE. Ne jemi shumë, shumë të përkushtuar me BE qysh prej ditës së parë që i ikëm ferrit të diktaturës, duke qenë vendi më i izoluar në Evropë, “Koreja e Veriut’’ e Europës, kështu që pavarësisht se si është situata këtu apo niveleve të ndryshme të vëmendjes apo skepticizmit ndaj zgjerimit, ne nuk kemi hequr kurrë dorë sepse për ne, BE dhe Evropa janë i vetmi vend ku duam të jemi, i vetmi vend që duam t’u lëmë brezave të ardhshme me sigurinë që i lëmë në të vetmen hapësirë, ku liritë, të drejtat, sundimi i ligjit dhe siguria mund të garantohen. Kështu që po, ky moment është i veçantë dhe më duhet të them dhe falë edhe Vladimir Putinit, i cili për shkak të luftës mizore të agresionit, zgjoi nga gjumi edhe më skeptikun dhe i bëri të shohin realitetin që Ballkani Perëndimor është i nevojshëm për një BE më të forte, po aq sa BE, konstelacioni i BE është i nevojshëm për Ballkanin Perëndimor. Kësisoj jemi të dyja palët në një gjatësi vale. Do të bëjmë më të mirën dhe do të vrapojmë shpejt  për t’u siguruar që kjo dritare e jashtëzakonshme mundësie të mos mbyllet pa ne, brenda në Bashkimin Evropian.”, u shpreh kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.

Shqipëria do të çelë këtë të martë negociatat me Bashkimin Europian për kapitujt themelorë/ abcnews.al