Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtiç, tha se partia që drejton mbështet formimin e Gjykatës Speciale. Ai u shpreh kundër formimit të ushtrisë ndërsa nënvizoi se për Pavarësinë e Kosovës duhet pyetur Beogradi dhe jo ai.
Zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiç në një intervistë për Dojçe Vele tha se Lista Serbe nuk do të përkrahë formimin e ushtrisë së Kosovës. Ndërsa theksoi se mbështet formimin e Gjykatës Speciale.
Dalibor Jevtiç, zëvendëskryeministër i Kosovës: “Në një luftë është e pamundur që vetëm njëra palë të jetë fajtore e të akuzohet për çdo gjë e pala tjetër pothuajse për asgjë. Është shumë e rëndësishme që për shkak të së ardhmes dhe bashkëjetesës, të përgjigjen me emër e mbiemër ata që kanë bërë luftë në mënyrë që gjërat të mos përgjithësohen”.
I pyetur nëse do të njohë Serbia pavarësinë e Kosovës, ai u përgjigj se kjo pyetje duhet të shtrohet në Beograd dhe jo këtu. “Mendoj që kryesore janë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve”, theksoi kreu i Listës Serbe duke nënvizuar se ka shumë probleme të pazgjidhura që duhet të zgjidhen. Gjithashtu tha se forca politike që drejton I merr vendimet në mënyrë të pavarur nga Beogradi./abcnews.al