Lista Serbe: Asociacioni duhet të ketë kompetenca ekzekutive

schedule21:18 - 31 Janar, 2023

schedule 21:18 - 31 Janar, 2023

Lista Serbe tha se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se i njëjti duhet të formohet, pasi është obligim që Kosova ka marrë me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Përmes një njoftimi për media, Lista Serbe tha se përfaqësuesit e saj morën pjesë në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë lidhur me Asociacionin.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha se Asociacioni është i nevojshëm “për mbijetesën e popullit serb” dhe se formimi i tij është kërkesë e serbëve në Kosovë.

“Veçmas theksuam se është e nevojshme që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, gjegjësisht siç është rënë dakord në Bruksel gjatë negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se krijimi i tij është një obligim që nuk duhet shmangur, sepse duhet të jetë një institucion ombrellë për popullin serb, që do të mbrojë të drejtat individuale dhe kolektive të popullit tonë”, u tha në njoftimin e Listës Serbe.Në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane morën pjesë zyrtarë qeveritarë, diplomatë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Nikoqiri i këtij takimi, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara veçse e kanë bërë të qartë se nuk mbështesin “asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Hovenier.Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kundërshton formimin e një Asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!