Lista me 8 persona për t’u spastruar. Strategji apo rastësi? Gazetari: Dumanit në çdo vrasje i bllokohej arma  

schedule12:56 - 17 Qershor, 2022

schedule 12:56 - 17 Qershor, 2022

Nuredin Dumani dhe Erion Alibej janë ballafaquar nga SPAK. Organi i akuzës po përpiqet të faktojë ato që ka thënë i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili me dëshmitë e tij ka zbërthyer një sërë ngjarjesh kriminale që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në vend.

Gazetari Elton Qyno, i ftuar në ABC Live tha se SPAK ka ballafaquar dy të pandehurit për të krijuar një bindje mbi ato se çfarë ka rrëfyer Nuredin Dumani. Gazetari kujton takimin midis Dumanit dhe Alibejt në një banesë në Elbasan. Në këtë takim Alibej i ka dhënë Dumanit një listë prej tetë personash që do të spastroheshin prej Dumanit. Disa prej tyre janë vrarë dhe disa të tjerë jo. Është pikërisht kjo dëshmi që ka sjellë vënien përballë të Alibejt dhe Dumanit, përkatësisht porositësit dhe vrasësit.

Lexo edhe: Hesht ose burg, flet gazetari që u sanksionua nga SPAK për dosjen “Dumani”: Si do veproj

“Kemi një deklaratë nga Dimani që akuzon Alibejn. Nuk kemi prova që kjo deklaratë është e vërtetë apo jo. Të dy palët janë ballafaquar për të krijuar një bindje apo vërtetësi midis deklaratave. Ky thotë e kam takuar dhe njohur, më kanë dhënë një listë për të spastruar. Nga kjo listë disa janë vrarë dhe disa kanë qenë në plan për tu vrarë. Kemi të bëjmë me një grup që kishin aktivitet të ngjeshur. Vetëm vrasje bënin, vendosin tritol. SPAK ik ka përdorur qoftë bashkëpunëtorin qoftë të akuzuarin.

Një pjesë të kësaj dëshmie e kam nxjerrë. Nuk përmban më sekret. Dumani flet për Alibej në një takim që ka zhvilluar në një pallat. Por më parë ka takuar Arjan Spahinë. Ky i bind që s’kishte lidhje në vrasjen e vëllait, ky i thotë që s’ka lidhje ai por vrasjen e ka kryer Talo Çela. Më pas ai takon Erion. Ai vihet në shërbim të këtij grupi. Në këtë shtëpi është vendosur edhe lista prej tetë emrash. Pas këtij takimi palët janë ndarë. Dumani tregon që i është dhënë një paradhënie prej 50 mijë eurosh. Në këto kushte ai fillon dhe vepron. I pari që është vrarë ka qenë Dorjan Shkoza. Në këto kushte, pasi ka vrarë Dorjan Shkozën ai nuk është takuar por i ka dërguar një kod që është kryer vrasja. Më pas janë ekzekutuar dy vëllezërit Haxhia”, shprehet Qyno.

Duke iu referuar dëshmive të Dumanit, gazetari thotë se një detaj i çuditshëm është se në çdo vrasje të kryer, Dumani ka thënë se i është bllokuar arma dhe se nuk ka qëlluar vetë.

“Në çdo ngjarje kriminale i bllokohej arma. E çuditshme! Ai thotë mua mu bllokua arma dhe qëlluan këta tjerët. Në total janë katër të penduar”, u shpreh Qyno. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!